Unitedi s’i bën nder Liverpoolit, City drejt titullit (VIDEO)

Unitedi s’i bën nder Liverpoolit, City drejt titullit (VIDEO)

Manchester City e ka fituar derbin e madh lokal kundër Manchester Unitedit (2-0) në Old Trafford dhe vazhdon ta ketë në duart e veta fatin për titullin e Ligës Premier.

Jesse Lingard për vendasit dhe Bernardo Silva për mysafirët i patën rastet e para në këtë sfidë, ndërsa në fund të gjysmës së parë një solo aksion të Raheem Sterling e ndali portieri David de Gea.

Pas 45 minutave të para rrjetat heshtën, mirëpo ndryshe ndodhi në fraksionin e dytë, në të cilën u shënuan dy gola.

Bernardo Silva pranoi një top nga Ilkay Gundogan dhe ia doli ta dërgonte topin në skajin e portës për ta zhbllokuar rezultatin (54′).

Menjëherë pas, një rast të mirë e pati Sergio Aguero, i cili dërgoi një gjuajtje me vole nga jashtë zonës dhe e goditi shtyllën.

Fitoren e Citizens e vulosi Leroy Sane duke pranuar një pasim nga Raheem Sterling dhe duke e përfunduar aksionin në mënyrë brilante (66′).

Djajtë e Kuq u përpoqën të bënin diçka në vazhdim duke rrezikuar me Romelu Lukakun, por pa sukses dhe në fund e humbën ndeshjen.

Manchester City është në vend të dytë në tabelë, me një pikë më pak se lideri, Liverpool, mirëpo skuadra e Pep Guardiolas ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Nga ana tjetër, Manchester Unitedi është në vend të gjashtë, me tri pikë larg pozitës së katërt që mbahet nga Chelsea.

Shpërndaje në: