Urdhri në Reçak: “Hyni në fshat, paketojeni mishin dhe kryejeni misionin!”

Urdhri në Reçak: “Hyni në fshat, paketojeni mishin dhe kryejeni misionin!”

Granatimet në vijën e pozicioneve të Mollopocit bëheshin vetëm për t’ia tërhequr vëmendjen UÇK-së nga Reçaku, ata po rrihnin çdo pozicion tonin me minahedhës e Pragë të kalibrit 30-milimetërsh. Skenari ende nuk kishte përfunduar, autoblindat dhe njësitet paramilitare e “Borbena grupa” ishte duke pritur sinjalin në hyrje të fshatit Reçak. Ata nga Shtimja ishin afruar natën në rrugë, kishin kaluar spitalin dhe ishin në hyrje të fshatit. Sinjali u dha, urdhri u erdhi me radiolidhje RF 13:- Hyni në fshat, paketojeni mishin dhe kryejeni misionin!, shkruan sot Koha Ditore.

Autoblindave ua kishin vendosur edhe nga një mburojë përpara, anash e prapa, i kishin blinduar për t’u mbrojtur nga armët mortaja dore antitank. Katër të parat po prinin, pas tyre edhe 5 pizgauerë, e pas tyre edhe pesë autoblinda të tjera, duke u pasuar edhe nga 2 kamionë ushtarakë, secila nga to kishin vendosur edhe nga dy mitraloza në kupolë, njëri 12.7-milimetërsh e tjetri 7.9.

Hynë duke qëlluar gjithçka që kishte para e anash, 5 autoblinda vazhduan rrugën nëpër kthesat e fshatit dhe u ndalën në dalje të fshatit, në kufi me Petrovën. Ato kishin dalë për të ndalur përforcimet që mund t’i vinin UÇK-së, të tjerët u ndalën në mes të fshatit. Nga kamionët zbritën ata me uniforma kamuflazhi, që nuk ishin as të ushtrisë e as të policisë, nuk u ndalën në asnjë shtëpi, morën rrugën nga e majta mbi xhami dhe vazhduan në luginë, në “Gropën e Bebushit”. Kishin ardhur edhe automjete të tjera, po aq sa të parat, hynë shtëpi më shtëpi, duke i mbledhur të gjithë meshkujt në oborrin e Sadikut. Gratë e fëmijët i kishin mbyllur në një bodrum. Të tmerruar fëmijët po dëgjonin se si po u rriheshin barbarisht prindërit ë tyre. Por, nuk po kuptonin serbisht fjalët që po dëgjonin: “Gde su teroristi, gde je vama Amarika pička vam materina, šiptarska đubrad.” (Ku janë terroristët, ku e keni Amerikën, p. e nënës, plehra shqiptarë!).

Shpërndaje në: