Urime dhe përshëndetje: Bekimi uron Bashkimin për emërimin si komandant i Ushtrisë

Urime dhe përshëndetje: Bekimi uron Bashkimin për emërimin si komandant i Ushtrisë

Anëtari i Familjes Jashari, gjeneralmajor Bashkim Jashari është emëruar sot komandant i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Familjari i tij, ish-kryetari i Skenderajt Bekim Jashari tha se sot në paqe Bashkim Jashari do të kontribuojë në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat nderkombëtar.

“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat nderkombëtar”, ka shkruar Jashari në rrjetin social “Facebook”.

Ai tutje tha se sikur te ishte gjallë komandanti Adem Jashari ta shihte nipin e tij duke udhëhequr ushtrinë për të cilën luftoi.

“Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urime Komandant Bashkim Jashari!”, thuhet tutje në postimin e Bekim Jasharit.

Bashkim Jashari është biri i Rifat Jasharit.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Kosovës, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Shpërndaje në: