Policia: Nuk është e vërtetë që kalimtarët nuk i ndihmuan 63 vjeçarit nga Gjilani (Video)

Policia: Nuk është e vërtetë që kalimtarët nuk i ndihmuan 63 vjeçarit nga Gjilani (Video)

Dje nëpër media ka qarkulluar një video ku shihet një i moshuar teksa humb vetëdijen në mes të rrugës dhe shtrihet për tokë. Më vonë, është konfirmuar se i njëjti person edhe ka ndërruar jetë, përderisa në video nuk shihet asnjëri nga dëshmitarët e rastit të iu afrohen atij për t’i dhënë ndihmë.

Mirëpo, sipas Policisë së Kosovës një gjë e tillë nuk është e vërtet.

Ata tashmë kanë identifikuar dëshmitarin okular të kësaj ngjarjeje, i cili edhe në video shihet duke iu afruar disa herë 63 vjeçarit që qëndronte pa ndjenja, i shtrirë për toke.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka konfirmuar për Indeksonline se sipas të gjitha dëshmive dhe konfirmimeve që kanë, ky dëshmitarë ka thirrur ekipet e ndihmës së shpejt dhe të policisë, menjëherë sapo e ka parë këtë rast.

“Dëshmitari në fjalë, i cili shihet më afër 63 vjeçarit, ka thirrur Qendrën Emergjente-Ambulanten dhe Policinë e Kosovës, dhe ka raportuar për këtë rast. Kjo tashmë është vërtetuar nga ana jonë. Megjithatë Prokuroria po merret me rastin”, ka thënë Hashani.

Më tej, ai konfirmon se ndihma e shpejtë dhe policia kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, mirëpo, i moshuari ka qenë pa shenja jete.

“Sigurisht policia dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, mirëpo mjekët kanë konstatuar se i moshuari ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sipas raportit mjekësor është vlerësuar se të gjitha rrethanat e vdekjes kanë qenë të natyrshme. Gjithashtu, sipas dëshmive qe kemi, kemi informacione se, 63 vjeçari në kohën edhe kur ka ndërruar jetë ka qenë duke shkuar te doktori për shkak se ka pasur probleme me zemër”, ka thënë Hashani.

Ndryshe, sipas nenit 191 të Kodit Penal të Kosovës, kushdo që nuk i ofron ndihmë personit, i cili është në rrezik dhe kjo rezulton edhe me vdekjen e perosnit të rrezkuar, kryesi mund të dënohet me burgim prej një deri në tetë vite.

Avokati, Arianit Koci, gjatë një prononcimi për Indeksonline thotë se duhet vërtetuar nga prokuroria a janë konsumuar elementet e veprës penale edhe nga kalimtarët me automjete.

Megjithatë, ajo e cila e shqetëson më së shumti Kocin është aspekti human-degradimi total i shoqërisë tonë, se sa vet përgjegjësia penale.

“ Prokuroria gjatë hetimit detyrohet të analizoj provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese. Ne nuk e dimë ende se kalimtarët a e kanë ftuar apo jo, policinë apo ndihmën e shpejtë. Por, më shumë po më brengos aspekti human – degradimi total i shoqërisë tonë, se sa vet përgjegjësia penale. Ne e kemi parë në video se kalimtarët absolutisht nuk kanë qenë të rrezikuar, në rast se do të ia ofronin ndihmën personit të alivanosur, të paktën t’ia hidhni ca ujë. Thjeshtë, e kemi parë një indiferencë jonjerëzore, e cila potencialisht në vete ngërthen edhe përgjegjësi penale”, ka thënë Koci.

Më poshtë mund të shikoni videon me reagimin e kalimtarëve të cilët e shohin të moshuarin të shtrirë në tokë.

Shpërndaje në: