VAR-i: Vetëvendosje bëri autogolin e shekullit, Kurti në ‘offside’ – Ja arsyetimi

VAR-i: Vetëvendosje bëri autogolin e shekullit, Kurti në ‘offside’ – Ja arsyetimi

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa [PZAP] ka publikuar vendimin mbi ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje pas ndalimit të kandidimit për deputet për Albin Kurtin dhe katër të tjerë.

Sipas këtij vendimi, Albin Kurti nuk do të ketë të drejtë kandidimi në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Bashkë me të në ‘listën e zezë’ të zgjedhjeve janë edhe Albulena Haxhiu, Labinotë Demi Murtezi, Bajram Mavriqi dhe një tjetër.

PZAP-i ka pasur arsyetim fare të thjeshtë e të lehtë në vendimin e saj për të mos certifikuar kandidatët e lartcekur.

“Në këtë rast të gjithë kandidatët e mos-certifikuar si në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi nuk e kanë kaluar afatin e lartpërmendur tre vjeçar, siç përcaktohet me dispozitën e lartcekur.” – shkruhet në vendim.

Kurti dhe Haxhiu ishin dënuar më 13 shtator të vitit 2018, që nënkupton para dy vitesh e katër muajsh, përcjell Periskopi.

Por, pse është autogol?

Përfaqësuesi ligjor i Vetëvendosjes e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlefshmërinë e mandatit të deputetit Etem Arifi nga komunitetet. Z.Arifi që tashmë po vuan dënimin me burg, kishte votuar për formimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Dhe, kësaj lënde në Kushtetuese ia pa sherrin Vetëvendosja.

Deputeti Arifi kishte pasur mandat të pavlefshëm, dhe kështu Qeveria Hoti kishte qenë e paligjshme. Por, bashkë me Qeverinë Hoti kishte qenë e kontestueshme kushtetutshmërisht edhe Qeveria Kurti – që kishte deputetë votues të dënuar me vendim të fuqisë së prerë në tre vitet e fundit, po ashtu.

Natyrisht, Vetëvendosje e ka duartrokitur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetit Arifi që rrëzoi Hotin, por po e kundërshton ashpër po atë vendim sa i përket implikimeve që ka për kandidaturën e deputetit Kurti. /Periskopi

Shpërndaje në: