Varfëria e rreme

Varfëria e rreme

Deputetët e Kuvendit nesër (ose ndoshta pasnesër) do t’i marrin pagat e tyre të majme si zakonisht. Kështu do të ndodh edhe me të gjithë punëtorët e tjerë të sektorit publik. Po nesër (ose ndoshta pasnesër), shumë punëtorë të sektorit privat do të marrin rrogën po ashtu, mirëpo disa prej tyre më të vogël se zakonisht – shkaku i masave restriktive që luftojnë përhapjen e Covid-19shit. E disa punëtorë të tjerë ‘privatniku’, edhe më të tjerë, nuk do ta marrin asnjë cent – të mbetur krejtësisht pa punë.

Por, debati publik është i okupuar krejtësisht, dhe pa fijen e rezistencës nga njerëz të rritur në mirëqenie e asnjëherë të rrezikuar nga varfëria. Te asnjëri prej tyre nuk ekziston perspektiva klasore që e provokoi menjëhershëm shpërthimi i Covid-19shit, dhe asnjëri prej tyre nuk flet për atë që po ndodh. Këta okupues natyrisht që nuk rrezikohen nga skamja (ndoshta, kanë pasur edhe baballarë, e ndoshta edhe gjyshër të mirëqenies) por më e keqja është se kanë shkëputur përbuzshëm të gjitha lidhjet me varfanjakët për të mos dëgjuar kukamën e tyre “analfabete”. Dhe, edhe më e keqja, është se kanë prodhuar “varfanjakë” të rremë, iluzorë, për të folur në emër të tyre. Njësoj siç kishte prodhuar Vetëvendosje profile të rreme “Facebook-u” për të mbështetur faqen “meKryeministrin” apo siç kishin prodhuar ish fshatarët e varfër të PAN-it veteranë të rremë nga varfanjakë për t’iu marrë pastaj në këmbim votat duke eksploatuar ndyrësisht varfërinë e tyre.

E këta “varfanjakë” të rremë në emër të të cilëve flasin okupuesit e mirëqenies nuk janë të kërrusur por kurrizdrejtë, nuk janë analfabetë por të arsimuar, nuk janë të shëmtuar por të hijshëm, nuk janë vulgarë por me kulturë, pra janë të ndershëm e të moralshëm, virtytet e të cilëve iu shpërthejnë nga vetë organet e tyre për t’i bërë ‘kullë’ më pas edhe teshat e tyre të çkyera. Por, këta varfanjakë përherë të virtytshëm, të moralshëm e të arsimuar nuk ekzistojnë. Mes varfanjakësh gëlon delinkuenca e kriminaliteti, ashtu siç gëlojnë sëmundjet fizike e mendore. Është një botë e dhunshme e vulgare. Varfanjakët nuk marrin arsimim cilësor, bile as aq cilësor sa të keqkuptojnë ato që lexojnë, nuk “konsumojnë” as vlerat emancipuese liberale, nuk qëndrojnë kurriz-drejt e të palëkundur në qëndrimet e tyre. Varfanjakët, duke qenë varfanjakë, shëmtohen dhe bëhen më pak të mençur – ashtu siç ka treguar një studim së fundi.

Por, siç mund ta keni vërejtur tashmë, varfëria dalëngadalë po zhduket edhe si fjalë nga diskursi publik. Tashmë një tjetër term po e mjegullon atë, dhe shpejt do ta asimilojë krejtësisht si pozicion ekonomik e si mendim. Është populli – termi totalizues që përfsheh të gjitha antagonizmat shoqërore, shpërndarjen e të mirave e ndarjen e punëve, sektorin privat e ekonominë informale. Hallet dhe gajlet konkrete të njerëzve abstraktohen brenda një perspektive të vetme: asaj të mirëqenies së klasës së mesme të mesme si narracion dominues.

Qeveria e Kosovës, e prirë nga një i vetëshpallur i majtë, së fundi i ndau 41 milionë euro për sektorin privat. Një lëmoshë e vogël për një vend që motor zhvillimi e ka pikërisht sektorin privat por që sillet sikur punët fiktive e të rreme qeveritare e publike kanë më shumë hair se sa punët e vërteta që ia shohim hairin direkt. Socialdemokratët në Danimarkë vendosën që të paguajnë 75 për qind të pagës së punëtorëve të sektorit privat. Në Slloveni ndërkohë u vendos që deputetët të merrnin pagat me ulje. Në ShBA u ndanë 2 trilionë dollarë. Por, qeveria jonë mbetet e stërpreokupuar të kënaq popullin, domethënë klasën e mesme të mesme që kërkon më shumë burokraci si kundërvënie ndaj korrupsionit.

Në këtë shkrim dua t’i bëj homazh punës së fyer e përçmuar të vozitësve të atyre që njihen si “Taksi 1-shat” përmes një shkrimi të shkurtër me ndërveprimet që kisha me ta para koronavirusit. Të paktën sa për ta vendosur ekzistencën e tyre shkurtimisht në një hapësirë të vogël publike pa stigmë dhe pa ndëshkim. Këta shoferë janë edhe më të tjerët, njerëz që të gjithë i shohim nëpër rrugët tona, por ekzistenca e të cilëve është e dënueshme me 120 euro gjobë. Si këta janë edhe taksistë të tjerë, taksi 4-shat për shembull, e të cilët përkundër shërbimit të pamohueshëm publik që bëjnë, megjithatë përbuzen e stigmatizohen nga shoqëria.

“Çdokush që është përballur me varfërinë e di se të jesh i varfër kushton tepër shtrenjtë.” –  thotë shkrimtari amerikan James Baldwin

“Një Mercedes Benz i vjetër në ngjyrë të kuqe e që gumëzhin sa një kamion afrohet te stacioni para Ministrisë së Arsimit. Shoferi i bie borisë dhe e ngrit gishtin tregues. Është taksist ilegal që të çon për në Fushë Kosovë. Po kërkon udhëtarë. Ia bëj me dorë të ndalet dhe ulem në sediljen pranë tij meqë s’është askush tjetër.

“A u lodhe?” e pyes me mirësjellje.

“Jo shumë, ju?” ma kthen me një surrat si meit, të zbehtë e të drobitur.

Ora është gjashtë e katëdhjetë e dy e mbrëmjes. Shoferi i mëshon sërish timonit dhe e vendos gishtin tregues sapo mbërrijmë në një vendpritje tjetër udhëtarësh përballë ndërtesës shëmtake të Institutit të Historisë. Ankthi e dëshira e tij për udhëtarë tjerë më injektohet edhe mua. Por, askush nuk avitet. Ani që e shohin gishtin e tij tregues e grimasat e fytyrës që shprehin pyetje, ata as që lodhen t’i lëvizin buzët a të tundin kryet në shenjë mohimi. Edhe pse e shohin, nuk duan ta shohin të bezdisur që u shpërqendruan e iu vodhën disa nanosekonda të jetës së tyre.

“Thu’j bile jo!” – psherëtin ai.

Arrijmë te semaforat anash statujës së Bill Clintonit që i përngjan një arsimtari të lëndës së Historisë a Gjeografisë a Edukatës Qytetare, e të cilit i ka vdekur berberi, e që e vendos shkronjën ‘ë’ me tepricë në postimet e tij në Facebook. Presim. Edhe 54 sekonda. 53, 52, 51. Unë i kërcas në xhepa centat e mi bashkë me çelësat e banesës. Mundohem t’i gjej 50 centë. Sekondat ndërkohë harxhohen. I zgjas dy 20-she dhe një 10-she. Më thotë “Falemnderit”. 5, 4, 3, 2, 1, e gjelbër. Shoferi i grah sërish kerrit dhe ndalet në Lakrishte. Sërish askush nuk hyn. Zakonisht nuk ndodh që udhëtimi një taksisti t’i shkojë vetëm me një udhëtar. Vetëm me 50 centë. Duket një minus i madh si ai i shenjës rrugore që ndalon qarkullimin nëpër rrugë njëkahëshe.

“He nanën!” – shfryen.

“Qe sa punoni si taksist?” – e pyes të nesërmen në mëngjes një të moshuar me një Golf 4-sh në ngjyrë të gjelbër të mbyllur.

“Unë a? Qe 12 vjet, bacit. Vërt-anej, vërt-knej, vërt-anej, vërt-knej. Hiç pa u nalë. Tash po punoj kryesisht prej orës 8 të sabahit deri kah n’3. I nxerri nja 500 euro n’mujt, t’mira. Boll janë edhe 300 po unë i nxerri 500. Muj me t’thon që marr ma shumë, po jo se unë s’rrej. Taksi 4-shat fitojnë ma shumë se Taksi 1-shat. Po, edhe 300 nuk janë pak, bacit. S’janë pak n’këtë fukarallëk.” Më pas fillon të shajë presidentin e vendit, vetë vendin, njerëzit e rëndomtë dhe konkludon “kurrë s’ka me u bo mirë k’tu!” Pas dy minutash, derisa po prisnim në semaforin e mundimshëm te Katedralja me emfazë shpreh teorinë se si prejardhja e presidentit është serbe, se si krejt të këqijat e tij bazohen te ajo prejardhje dhe më pyet se çka po shënoj në telefonin tim. Ia tregoj mesazhin që po i shkruaja të dashurës. “Te Grandi për 5 minuta!” – shkruante ajo. “Mos po inçizon?” vazhdon. E mohoj sërish. Në fakt, unë po mbaja shënim sa për t’u argëtuar se sa njerëz e shanin presidentin, sa kryeministrin, sa kryetaren e Kuvendit dhe sa liderët e opozitës. Presidenti printe ndjeshëm me 14 sharje. Kryeministri i kishte 7, kryetarja e Kuvendit 1, lideri i LDK-së 10, dhe lideri i AAK-së 5.

“Pse punoni taksi?” – e pyeta një djalë të ri me një Opel të vjetër në ngjyrë të bardhë në një udhëtim tjetër.

“Jom bo i varun, o burrë. Sa i shtri koqet n’shpi, s’m’rrihet e dal me dhezë kerrin dhe veç kur ta shoh veten tu punu taksi. S’m’len gjaku me nejt se kom pare boll. Po, jom bo i varun. Edhe për bajram punoj, edhe për vit t’ri, gjithë. Dal e i çoj njerëzit kah kanë me shku. M’kënaq qikjo. Edhe n’humbje me m’qitë inspekcija, unë apet kom me dalë. M’pëlqen kjo punë.” – më gënjeu ai, me fytyrën që i shpreh neveri.

“Pse punoni taksi?” – e pyes një tjetër djalë të ri e të hareshëm me një veturë së cilës s’ia di emrin.

“Po, unë moti e pata vërejt që s’kom prirje për kriminel. Kriminelat k’tu bojnë pare.” – tha ai dhe qeshi.

Një tjetër m’u përgjigj se punonte si “taksi 1sh sepse e kishte pasur 1sh në shkollë.”

Janë mbi 800 taksistë 1-sh, 90 për qind të të cilëve ilegalë, që qarkullojnë mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës për të dhënë dëshminë e fortë e të pamohueshme të varfërisë shoqërore. Një varfëri që megjithëse para syve tanë, në trajta të ndryshme, është e shpërfillur krejtësisht nga sfera publike. Mes tyre është edhe një grua.

Shpërndaje në: