Varrimi në të cilin s’keni nevojë të qani, mund të qeshni me lot   

Varrimi në të cilin s’keni nevojë të qani, mund të qeshni me lot   

Për më shumë se dy orë e gjysmë në ceremoninë mortore për Bushin plak, duke e shikuar drejtpërdrejt në tv, e kam zënë veten ngapak duke qarë, e më shpesh kam shpërthyer në të qeshura. Ndërkaq ne – shqiptarët-  ceremonitë mortore i kemi të frikshme, ceremonitë mortore i kemi më të frikshme se sa vetë vdekja.

Shprehia për mënyrën se si ngushëllojmë në rast vdekjesh, u vërejt shumë edhe me rastin e fundit, me vdekjen e George H.W. Bush. Është normale që në çdo gjuhë në botë, ekzistojnë rregulla stilistike që përcaktojnë mënyrën se si shpreh ngushëllim, urim, urdhër, përgëzim, etjerë. Ne, shqiptarët, në përgjithësi e kemi togfjalëshin ‘ngushëllime familjes’ që përthekon një gamë të gjërë ngushëllimesh, pavarësisht a po ia shprehim një miku shumë të ngushtë apo familjes më të njohur në Amerikë. Këtë e kemi në të shkruar, sepse në të folur kemi edhe shpreje të tjera me konotacion fetar si: zoti iu lashtë shëndosh, zoti sabrin (durimin), etj.

Sa për ngushëllimet për familjen Bush, ne edhe mund të dërgojmë ngushëllime personalisht secili, por mirë do të ishte edhe të kishim njohuri më tutje, për shembull, pse e admirojmë kaq shumë një Bush.

Të kthehemi te varrimet…

Kanë vdekur shumë figura të njohura në Kosovë, që prej kur kam nisur punën si gazetare dhe më ka rënë t’i përcjell nga fillimi deri n’fund. Ceremonitë mortore i kemi të frikshme, ceremonitë mortore i kemi më të frikshme se sa vetë vdekja. Me një fjalë, në një rast varrimi – nuk është rregull e shkruar – por kuptohemi me gjeste e veprime se na ndalohet të qeshim. Na ndalohet edhe të buzëqeshim.

Pse ndodhë kështu?

Kultura e ceremonive mortore që gjithësecili mund ta kemi parë pak a shumë në rast se na ka vdekur një i afërm, nuk dallon edhe kur vdes një figurë e njohur, e përmasës shtetërore. Fakti që nuk kemi arritur ta kapërcejmë stilin që ngjyroset me fjali që mund ta ketë fillin diku te komunizmi, tregohet në secilin varrim a përvjetor të ndonjë figure të njohur në Kosovë (po edhe në rajonet tjera shqiptare, ndoshta edhe në krejt Ballkanin). Pra që të vdekurin, duhet ta lartësojmë me fjalët (mundësisht) më serioze dhe më të serta që njeh njerëzimi.

A e mbani mend ju ndonjë ceremoni mortore të ndonjë figure të njohur, ku dikush ka evokuar kujtime për të (të vdekurin), përtej asaj që potencialisht mund ta gjesh si informacion edhe në faqen më të lodhur të makinerisë së kërkimit në internet: Wikipedia.

Heronjve tanë: Adem Jasharit, Adem Demaçit, Zahir Pajazitit e pse jo edhe figurave si Ibrahim Rugova e të tjerë, neve shpesh nuk na (lejohen) komunikohen anët tjera të jetës së tyre. Me çka kanë qeshur këta heronj? Kur janë nervozuar me djalin ose vajzën e tyre? Çka ka pasur tek ata përtej botës që na është transmetuar në ceremoni varrimesh e përvjetorësh dhe përtej botës që mund ta gjejmë në ndonjë libër, në ndonjë këngë ose përtej fjalimeve monotone: Kosova përherë do ta kujtojë me pietet.

 

 

 

 

Shpërndaje në: