Vdes i akuzuari për krime lufte në Kosovë

Vdes i akuzuari për krime lufte në Kosovë

Milojko Nikoliç i quajtur Shumadinac, i akuzuar për krime lufte, si pjesëtar i grupit paramilitar “Çakallët”, ka vdekur në Beograd në rrethana të pasqaruara, ka thënë avokati i tij Dragan Palibrk, transmeton zeri.info.

Nikoliç është personi i dytë prej 11 të paditurve, të akuzuar për krime të kryera në fshatin Qyshk në Kosovë, i cili vdiq gjatë gjykimit, prandaj procedurat gjyqësore kundër tij do të pezullohen. Kohë më parë ka vdekur edhe i akuzuari tjetër nga i njëjti grup paramilitar, Radoslav Brnović.

“Çakallët” tjerë të akuzuar janë në procedurë të gjykimit të përsëritur, pasi gjykimi i parë ishte shfuqizuar, ndërsa Nikoliç ishte dënuar me dënim maksimal prej 20 vjet burg për krime në fshatin Qyshk.

Ai u arrestua në vitin 2010 në Mal të Zi, më pas u ekstradua në Serbi, dhe më pas është mbrojtur në liri.

Avokati i tij mbrojtës ka thënë se serbët e akuzuar për krime lufte po vdesin në mënyrë  simptomatike gjatë procesit të gjykimit, si në Beograd, ashtu edhe në Hagë.

Shpërndaje në: