Veliaj në Ukrainë, pritet nga Zelensky: Nënshkruajnë një memorandum

Periskopi.com Lajme

Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka qenë në një vizitë në Ukrainë të premten. Lajmin e dha vetë presidenti i Ukrainës, i cili falenderoi delegacionin e Asociacionit të Qyteteve Evropiane, që do të mbështesin punën për rindërtimin e qyteteve të rrënuara nga lufta ruse.

Jam i lumtur të mirëpres delegacionin e Asociacionit të Qyteteve Evropiane në Ukrainë. Ne e vlerësojmë që në këtë kohë të vështirë kur shteti ynë po lufton pushtimin rus, ju jeni afër nesh. Gjithashtu do të jemi mirënjohës për ndihmën në restaurimin e banesave, infrastrukturës dhe kushteve për kthimin e ukrainasve në atdheun e tyre. Me rëndësi që rindërtimi filloi jo pas luftës, por tani”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri me dije se u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për të mbështetur rindërtimin e qëndrueshëm të qyteteve të Ukrainës.

Në shenjë solidariteti me popullin ukrainas, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një shkollë të re në qytetin e Kharkivit, të shkatërruar nga lufta, si dhe do të ndihmojë në procesin e rindërtimit. Kjo pasi Kryebashkiaku Veliaj iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryebashkiakut të Kharkivit për të qenë pjesë e Këshillit Koordinues të qyteteve partnere, që do të ndihmojnë në rindërtimin e Ukrainës. Veliaj shprehu gatishmërinë e Tiranës për të kontribuar për rindërtimin dhe kapërcimin e pasojave të luftës.

Kujtojmë që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të rindërtojnë një bllok banesash në Irpin, një ndër qytetet më të shkatërruara në Ukrainë si pasojë e sulmeve nga Rusia. Kjo u bë me dije mnga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që zhvilli në Ukrainë më 15 qershor, ku ishte i shoqëruar nga kryeministri malazez Dritan Abazoviç.