Vëllezërit nga Saranda në krye të trafikut ndërkombëtar të drogës

Vëllezërit nga Saranda në krye të trafikut ndërkombëtar të drogës

Dy vëllezërit shqiptarë nga Saranda, Dhimitër e Xhevahir Poti, të arrestuar në muajin maj në Belgjikë ishin drejtuesit e organizatës së trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila një ditë më parë u shkatërrua nga operacioni “Ring New” i Policisë financiare italiane të qytetit të Breshias.

Nga ky operacion u arrestuan 99 persona, e 196 persona të tjerë u vunë nën hetim.

Ky informacion u bë publik nga koloneli i policisë së Breshias, Michele Esposito, i cili për mediat italiane ka theksuar rëndësinë e koordinimit gjyqësor të agjensisë europiane Eurojust në realizimin e suksesit të këtij operacioni.

“Me anë të hetimeve, shprehet ai, synuam të identifikojmë nivelin e shitjes me shumicë të drogës, fakt që na çoi në zbulimin e organizatës ndërkombëtare greko-shqiptare në trafikun e drogës. Mundëm të zbulojmë strukturën e kësaj organizate e lidhjet e saj me organizatat kriminale italiane të mafias Ndragheta, Kamorra e Sakra korona Unita. Trafikantët shqiptarë bashkëpunonin me mafiat më të fuqishme italiane”.

Sipas investiguesve italianë organizata e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishte mbështetje llogjistike nga mafiat italiane gjatë operacioneve të tregtimit të drogës duke e shpërndarë në territor sipas infuencës së çdo familje mafioze.

Marijuana kultivohej në Shqipëri e me rrugë detare mbërrinte në jug të Italisë në rajonin e Pulias dhe në portin e Krotones në Kalabri, duke u kontrolluar nga grupet kriminale pulieze e kalabreze.

Tregtimi i drogës në rajonin e Kampanjës kryhej nga mafia Kamorra.

Ndërsa kokaina mbërrinte në Spanjë nga Amerika Latine, më pas transportohej në Belgjikë ku organizata e trafikantëve shqiptarë kishin bazën e tyre llogjistike.

Me anë të një shoqërie transporti kokaina transportohej në Itali e trafikohej në qytetet e Milanos e Breshias.

Dy vellezërit shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, kishin në zotërim të tyre shoqërinë e tansportit të hapur në Bullgari  “Friends Trans LTD” me punonjës me kombësi greke e cila ishte e aftë të shërbente transportin e drogës dhe për llogari të palëve të treta.

Me anë të kësaj shoqërie transporti, droga hynte në Itali me anë të mauneve me fruta, perime e prodhimeve deti.

Më pas me anë të furgonave shpërndahej në të gjithë territorin italian për llogari të 3 mafiave kryesore italiane.

Emrat e dy vëllezërve shqiptarë Dhimitër e Xhevahir Poti, janë lakuar disa herë nga mediat shqiptare për lidhjen e tyre me ish-Drejtorin e Transportit Rrugor të Sarandës Klement Balili.

Shpërndaje në: