Vendimi i Apelit për tarifat e rrymës, ZRRE nuk tregon se si do u kthehen paratë popullit

Vendimi i Apelit për tarifat e rrymës, ZRRE nuk tregon se si do u kthehen paratë popullit

Në Kosovë pritet të rikthehen tarifat e vjetra të energjisë elektrike, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte atë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).  Javën e ardhshme do të shpërndahen faturat e energjisë për muajin maj dhe ende nuk dihet se si do t’u shkojnë ato qytetarëve, me rritje apo pa të…

ZRRE dhe KEDS nuk kanë ndonjë modalitet se si do të bëhet kompensimi i atyre qytetarëve që pësuan nga tarifat e reja, pra do t’u kthehen paratë, apo do t’u zbatohen në faturat e reja, apo … Të paktën nuk po i bëjnë publike.

Lidhur me këtë, Zyra për Informim e KEDS është përgjigjur shkurt për Periskopin.

“Ne jemi kompani ekzekutive. Organi vendimmarrës është ZRRE. Pra, i zbatojmë vendimet e tyre”, thuhet në përgjigjen  KEDS.

Lidhur me kthimin e mjeteve qytetarëve, për modalitetin e kompensimit, nuk kanë treguar as nga ZRRE.

“Ju njoftojme qe Zyra e Rregullatorit per Energji e ka pranuar Aktvendimin e Gjykates se Apelit dhe brenda afateve te percaktuara ligjore, do te ndermarre veprime per zbatimin e ketij aktvendimi”, thuhet në përgjigjen pa ndërhyrje të Zyrës së rregullatorit për Energji Elektrike për Periskopin.

Sido që të jetë, vendimi i fundit i ZRRE është në fuqi aktualisht, pasi ai mund të shfuqizohet vetëm nga Bordi i Drejtoreve të këtij institucioni, i cili nuk është mbledhur akoma.

Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi një vendim të Themelores në Prishtinë që pezullonte vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për tarifat e reja. Apeli ka vendosur pas ankesës së ZRRE-së, duke thënë se ishte e pabazuar.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill kishte marrë vendimin për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Por, ZRRE, duke u thirrur në Ligjin për konfliktet administrative, pati thënë se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

Procesi në gjykatë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës ka nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës “i dëmton qytetarët”.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, kishte miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Ata paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.

Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.

Për konsumatorët që shpenzojnë më pak, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar – ata vazhdojnë të paguajnë 7 cent për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 cent gjatë tarifave të lira.

Shoqëria Civile, qytetarët, por edhe partitë politikë e kishin kundërshtuar vendimin për vendosjen e tarifave të reja të energjisë. Vendimi kishte marrë përkrahen e Qeverisë Kurti./PERISKOPI/

Shpërndaje në: