Vendimi i Ivanov, kundërshtime e protesta në Maqedoni
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, e publikoi vendimin për falje të politikanëve që hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, por edhe për veprime tjera të jashtëligjshme, në bazë të asaj që njihet si “aferë e përgjimeve”.
Në bazë të këtij vendimi, nga ndjekja e mëtejme janë liruar ish-ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, si dhe shumë politikanë e zyrtarë të tjerë, të dyshuar nga Prokuroria Speciale për shpërdorim të detyrës. Vendimi i presidentit përfshin edhe liderin e partisë opozitare Lidhja Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.



