Verstappen thumbon Hamiltonin: Nuk pres dhurata, titulli fitohet në pistë

Verstappen thumbon Hamiltonin: Nuk pres dhurata, titulli fitohet në pistë

Max Verstappen ka komentuar ngjarjet e fundit në Formula 1.

Piloti holandez Max Verstappen me Red Bull ka arritur dy vende të dyta në dy garat e fundit të Formula 1, në Brazil e Katar dhe tashmë ka vetëm 8 pikë avantazh ndaj Lewis Hamilton (Mercedes), që ka triumfuar në këto dy pista.

Gara e fundit ka qenë e vështirë për pilotin holandez, që pak orë para fillimit të saj mori edhe një penalizim me 5 pozicione.

“E dija që do të vinte ai penalizim, pasi asnjëherë nuk kam marrë dhurata nga komisarët e pistës. Madje nuk pres dhurata nga askush, pasi titulli fitohet në pistë. Gjithsesi, ne u munduam të limitojmë dëmet dhe besoj se ia dolëm mbanë, pasi u klasifikuam në vendin e dytë dhe jam ende i pari. Lewis nuk mund ta arrija në atë garë, pasi ishte shkëputur shumë”, tha Verstappen.

Gara e radhës do të zhvillohet në pistën qytetase të Jeda, në Arabinë Saudite, ku garohet për herë të parë.

Verstappen ka shansin të shpallet që aty kampion bote nëse diferenca në pikë me britanikun do të jetë mbi 25 pikë pas kësaj gare.

“Nuk besoj se do të mbyllet aty, pasi ka ende shumë pikë në lojë dhe askush nuk do të heqë dorë kollaj”, shtoi mes tjerash piloti i Red Bull. /Periskopi/

Shpërndaje në: