Vetëm 35 inspektorë të punës janë aktivë në Kosovë, kërkohet mbështetja e Qeverisë

Vetëm 35 inspektorë të punës janë aktivë në Kosovë, kërkohet mbështetja e Qeverisë

Zëvendëskryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku tha se kanë të angazhuar 35 inspektorë që bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës.

Millaku tha se numri i inspektorëve është i vogël, krahasuar me numrin e madh të bizneseve. Sipas tij, ligji ka përcaktuar shkallën e gjobave dhe inspektorët e kanë të drejtën e shqiptimit të tyre kur hasin në shkelje të të drejtave.

“Tani për tani i kemi 35 inspektorë që ushtrojnë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës. Prej 35 inspektorëve, 8 i kemi serbë, 27 të tjerë janë nga komuniteti shqiptar. Është numër i vogël krahasuar me numrin e madh të bizneseve dhe problematikave që shtrohen para shoqërisë tonë në raport me punëdhënës dhe punëmarrës, por edhe nga siguria dhe shëndeti në punë”, tha Millaku për Ekonomia Online.

“Shkeljet e punëtorëve janë nga më të ndryshmet. Por problemi më i madh është shkelja e të drejtave nga siguria dhe shëndeti në punë, sepse aty atakohet jeta dhe shëndeti i punëtorëve në punë. Për momentin ligji ka përcaktuar shkallën e gjobave, ku inspektorët e kanë të drejtën e shqiptimit të gjobave”, u shpreh ai.

Tutje, ai shtoi se palët e pakënaqura me vendimet e Inspektoratit të Punës mund të ngrisin rastin në gjykatë.

Numri më i madh i aksidenteve rezulton të jetë nga sektori i ndërtimtarisë, andaj Millaku kërkon më shumë përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

“Rastet në gjykatë shkojnë me konflikt administrativ, palët e pakënaqur me vendimet e inspektorëve të punës mund të ngrisin rastin në gjykatë”.

“Kur ka raste të lëndimeve në punë dhe elemente të veprave penale, atëherë raportin e përcjellim në prokurori dhe prokurori është ai që vendosë a të vazhdohet më tutje”.

Të drejtat e punëtorëve shkelen që nga fillimi i punës e deri tek përfundimi i punës.

“Ne kemi problematikën kryesore, sepse numri më i madh i aksidenteve ka rezultuar të jetë nga ndërtimtaria. Por nuk do të thotë që nuk kemi rrezik potencial edhe në veprimtari të tjera qoftë në prodhim, qoftë tregti e transport që nuk përjashtohet mundësia e aksidenteve”.

“Nga Qeveria kërkojmë përkrahje më të madhe dhe kanë një synim të mirë në kuptimin e ndihmës në konsolidimin e inspektoratit të punës në tërësi”, tha ai./EO

Shpërndaje në: