Veteranët e Fushë Kosovës iu bëjnë thirrje kolegëve dhe EULEX-it për sjellje të qytetëruara

Periskopi.com Lajme

Dega e OVL UÇK-së në Fushë Kosovë ka bërë thirrje për respekt të ndërsjellë dhe sjelle më dinjitoze pas aksionit të djeshëm të policisë së EULEX-it në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë.

Dega po e vlerëson krejtësisht të panevojshëm spektaklin e krijuar me rastin e bastisjes së zyrave të OVL-së dhe arrestimet spektakolare të krerëve të organizatës.

“OVL UÇK-së Dega në Fushë Kosovë bën thirrje për maturi, për sjellje qytetëruese dhe për respekt të ndërsjellë. Askujt nuk i bën nderë arroganca, sjelljet e padinjitetshme të kujtdo qoftë”.

“OVL UÇK-së është organizatë vullnetare, e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës së shenjtë të UÇK-së dhe në mbrojtje të të gjithë pjesëtarëve të saj dhe misionit të luftës së UÇK-së, për të krijuar një shtet të lirë për të gjithë, të pavarur dhe të sigurt për të gjithë banorët, pa dallim, feje, kombi apo race”.

OVL UÇK-së në Fushë Kosovë vlerëson se veteranët, përkatësisht zyrat e OVL-së nuk janë adresa për bastisje e arrestime të papritura me përgatitje e arsenal, kur kihet parasysh fakti se askush nuk po ikë askund dhe kjo do të mund të bëhej me një ftesë në mënyrë krejtësisht normale.

“Krijimi i përshtypjeve sikur po kapen kriminelët dhe po bastiset ndonjë organizatë kriminale, është i dhimbshëm për çdo veteran luftëtar të këtij vendi, për çdo qytetar që krenohet me luftën e UÇK-së”.

“Është tejet për keqardhje edhe heshtja e Institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pamjet e arrestimeve nga njësitë policore të djemve tanë më të mirë, shumica e të cilëve janë luftëtarë e bijë luftëtarësh, janë pamje që nuk do të duhej t’ua ofronim prindërve e familjarëve të dëshmorëve, nuk do të duhej t’ua ofronim këto pamje familjeve tona e fëmijëve tanë”.

Ata u kanë bërë thirrje të gjithëve pa përjashtim, veteranëve dhe të gjithë kolegëve të tyre, institucioneve të Kosovës, që të sillen mirë dhe dinjitetshëm, që të kryejmë secili punën dhe obligimin që kanë.

“Veteranët e UÇK-së kanë vuajtur shumë, kanë kontribuar shumë, kanë treguar maturi e pjekuri në momentet më të vështira historike, veteranët e UÇK-së duhet të trajtohen dinjitetshëm dhe me respekt”.

“Ne edhe në këto kohë çoroditëse dhe nëpërkëmbëse që po kalojmë do të dijmë të reagojmë dinjitetshëm, sepse askush nuk mund të na e shuajë dashurinë për këtë vend, dëshirën e angazhimin tonë për të pasur një shtet të fortë e të vendosur dhe jo një shtet servil dhe një pushtet që sillet si fantazmë konform zhvillimeve”.

“OVL UÇK-së, Dega në Fushë Kosovë vlerëson se është koha që të reflektojnë të gjithë, Institucione qendrore e lokale, media, organizata tjera për të kundërshtuar me argumente këtë formë të sjelljes ndaj Institucioneve që kanë dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka pikërisht këtë mision – Mbrojtjen e vlerave të luftës dhe promovimin e idesë për një shtet 100% të pavarur”.

Shpërndaje në: