Vetëvendosje dhe AAK me koalicion në Prishtinë

Vetëvendosje dhe AAK me koalicion në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj kanë zyrtarizuar sot koalicionin ndërmjet VV-së dhe AAK në Komunën e Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate Komuna e Prishtinës, transmeton Koha.net.

“Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti në takim një delegacion të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në krye me Kryetarin e saj Ramush Haradinaj, me ç’rast u bë formalizimi dhe konkretizimi i marrëveshjes për koalicion në Komunën e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet se Ahmeti falënderoi AAK-në për mbështetjen e vazhdueshme që ka pas nga Grupi i Asambleistëve të AAK-së pa asnjë kusht në Kuvendin Komunal. Është bërë e ditur se diskutimet kanë filluar para disa javësh dhe se ato janë zhvilluar edhe me subjekte të tjera politike, për ta krijuar shumicën e nevojshme në mënyrë që të zhbllokohet puna në Kuvendin Komunal dhe të arrihen synimet të cilat ia kemi vendos vetvetes, e ajo është reforma thelbësore dhe e plotë në Komunën e Prishtinës.

Ai po ashtu bëri të ditur se Grupi i Asambleistëve të AAK-së tani e tutje do të koordinohet me Grupin e Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq nga tani e tutje, AAK-ja merr në drejtim Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, e cila deri më tash është udhëhequr nga nënkryetari, Dardan Sejdiu.

Ndërsa Haradinajka thënë se, “me fitoren e Ahmetit AAK-ja ka marr vendim politik që ta përkrah këtë qeverisje dhe politikat e tij pa kushte. Ai potencoi se tani është e nevojshme krijimi i një shumice dhe se janë të gatshëm për partneritet me qëllim që t’iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve”.

 

Shpërndaje në: