Vetëvendosje e fut në listë për deputet personin që fotografohej me kallashnikov
Në listën e kandidatëve për deputetë nga radha e Lëvizjes Vetëvendosje, është edhe Fidan Ademi nga Mitrovica, i cili dy vite më parë u shfaq me kallashnikov në duar.
Ish-drejtori i Rinisë, Kulturës dhe Sportit në Mitrovicë, Fidan Ademi, ishte shkarkuar nga ky post me 22 gusht të vitit 2017 nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në atë kohë pak ditë para këtij shkarkimi, Ademit ju publikua fotografia me një kallashnikov në duar, ku edhe mbi të kishte shkruar: “Babushi gati”. Nuk dihej se çfarë paralajmëronte në atë vit, Ademi me këtë fotografi, shkruan Metro.
Ai e kishte pranuar që është fotografuar me armë, mirëpo duke insistuar se ka qenë lodër.
Tash Fidan Ademi, garon në listën e Vetëvendosjes për një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ademi ka postuar edhe në Facebook fotografinë zyrtare të kandidimit për zgjedhjet e 6 tetorit, ku edhe ka bërë të ditur numrin që ai bartë në këto zgjedhje.





