Vetëvendosje thotë se Mustafa më kokëfortësi nuk po lejon daljen nga kriza

Vetëvendosje thotë se Mustafa më kokëfortësi nuk po lejon daljen nga kriza

Shkodran Hoti, zyrtar për informim në Vetëvendosje thotë për Periskopi.com se kokëfortësia e Isa Mustafës ka bërë që takimet e liderëve ndërmjetësuar nga Naim Rashiti, të mos rezultonin me përafrime.

Ai thotë se edhe kur ka pasur përafrime, është rishfaqur kokëfortësia e Mustafës dhe arroganca e tij duke penguar finalizimin e një deklarate që do të jepte zgjidhje për këtë çështje.

“Ne jemi subjekti i vetëm politik që ka dhënë zgjidhje konkrete për çështjen e demarkacionit, qëndrim ky i përmbledhur në një propozim pesëpikësh dhe i shpalosur nga Visar Ymeri përmes një konference shtypi. Thelbi i këtij propozimi, por edhe i qëndrimeve të mëtutjeshme gjatë takimit të liderëve të ndërmjetësuar nga Naim Rashiti ka qenë kthimi në pikën zero dhe rishqyrtimi i marrëveshjes së demarkacionit, në mënyrë që të kemi një marrëveshje të re të demarkacionit. Në kuptimin që kjo marrëveshje të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare”, thotë ai.

Hoti shpjegon se takimet e deritanishme do të duhej të rezultonin me përafrime që çojnë në këtë pikë, por për fat të keq, sipas tij, edhe kur ka pasur përafrime, është rishfaqur kokëfortësia dhe arroganca e Qeverisë së Kosovës, më saktë e KM Mustafa. Dhe në fakt është pikërisht kjo arrogancë dhe kokëfortësi që ka pamundësuar finalizimin e një deklarate e cila do të jepte zgjidhje për këtë çështje.

“Është momenti që qeveria të reflektojë sepse çdo vonesë në këtë proces më pas është përgjegjësi e saj. Konsiderojmë se tashmë të gjitha palët e kanë të qartë se versioni aktual i demarkacionit s’ka mundësi të jetësohet, dhe parë këtë realitet, lind nevoja për një version të ri të demarkacionit. Kokëfortësia e Qeverisë veçse e ndihmon zgjatjen e krizës, dhe zgjatja e krizës në anën tjetër sjellë vonesa në proceset integruese të Kosovës”, thotë Hoti për Periskopi.com

Shpërndaje në: