Veton Berisha flet për manipulimet shokuese në zgjedhjet e 14 shkurtit që e lanë pa ulëse në Kuvend

Periskopi.com Intervista

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha nuk ka arritur të marrë një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës, ani pse për këtë gjë po lufton ende. Ai në një intervistë për Periskopin ka folur rreth ankesës së bërë në Gjykatën Supreme për anulimin e votave nëpër vendbanimet serbe, për çka dyshon në orkestrime në favor të Iniciativs Rome.

Berisha ka folur nëse do të jepte votë për Qeverinë Kurti si dhe gjendjen e përgjithshme të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Ai është pyetur edhe për dyshimet e raportuara se Elbert Krasniqi, anëtar i Iniciativës së Re Demokratike ka blerë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, por që Berisha nuk ka dashur të komentojë.

Lexojeni intervistën e plotë:

 Periskopi: Ju sot dorëzuat një ankesë në Gjykatën Supreme rreth vendimit të PZAP’së për anulimin e votave në vendbanimet serbe në Kosovë karshi Iniciativës Rome. A besoni se do të arrini qëllimin përmes këtij veprimi?

Veton Berisha: Besoj që do të merret parasysh për shkak se hapi i parë është bërë prej PZAP’së. Është konfirmuar pretendimi jonë se ka pasë orkestrim dhe ka pasë vota të serbëve në një parti rome, siç ka qenë Iniciativa Rome. Dmth vendimi i PZAP’së e ka konfirmu këtë fakt. Ankesa jonë është për këtë pjesën që nuk janë pranu në tërësi por të pjesshme, pra pesë komuna, por jo tri të tjera. Është e njëjta dukuri në Graçanicë dhe Mitrovicën e Veriut dhe Kamenicë po ashtu  e kemi kontestu, kemi bërë ankesë që i njëjti vendim të vlejë edhe në këtë komuna dhe besojmë fuqishëm që duhet të bëhet një gjë e tillë sepse është orkestrim vetëm e vetëm që me u hjekë ato vota që s’kanë qenë reale.

Periskopi: Më herët keni ngritur dyshime ndaj Listës Serbe për këto orkestrime. A keni dëshmi apo fakte që janë drejtuar tek ju?

Veton Berisha: Kemi dyshu për faktin se këto vota janë marrë në vendbanime ku ka serbë dhe pse është lidhur me Listën Serbe ka qenë se në këto zgjedhje janë përgjysmuar. Ato janë çështje të Prokurorisë. Sigurisht që ka raportime e fakte, por kjo nuk është çështje për mua. Unë e kam kontestuar rezultatin dhe janë edhe votat nga serbët për Iniciativën Rome. Për pjesën tjetër të këtij orkestrimi janë institucionet tjera.

Periskopi: A besoni që do të arrini marrjen e mandatit për deputet?

Veton Berisha: Sigurisht. Sepse është marrë mandat prej Iniciativës Rome përmes votave të serbëve dhe kjo është e padrejtë dhe ne si komunitet egjiptian jemi votu më së shumti dhe mandati na është marrë neve. Në këtë rast n nuk jam deputet deri në vendimin e Gjykatës Supreme.

Periskopi: Në rast se veç zgjidheni deputet, a do të jepni votë për Qeverinë Kurti?

Veton Berisha: Ne s’kemi asnjë vijë të kuqe me askënd. S’kemi asnjë lloj refuzimi. Thjesht pasiqë të dal deputet mandej na bjen të ulemi e të bisedojmeë dhe t’i kordinojmë vendimet tona dhe nëse pajtohemi, pse jo. Por normalisht që duhet të pajtohemi në parimet toan, në raportet tona, për përfaqësimin e komunitetit egjiptian në cilëndo qeveri.

Periskopi: Cila është gjendja aktuale e komunitetit egjiptian në Kosovë. Çka duhet të përmirësohet me urgjencë?

Veton Berisha: Në përgjithësi dora e shtetit duhet me vepru. Mos me qenë komunitet vetëm  në numër por i cili vepron dhe ju jepet mundësi edhe me qenë në vendimarrjes, pra me vendos më shumë për vetveten . Gjithmonë kanë vendos të tjerët për neve dhe tash është koha që me vendos vet edhe me i shty proceset përpara. Normalisht që do investime, me pasë një pozitë më të mirë, që insitucionet me pasë korrektësi ndaj këtij komuniteti dhe këto janë elementet që duhet me vazhdu më tutje. Pakënaqësitë janë në nivel të lartë sepse akoma duhet me u bë. Ne s’kemi qenë në vendimarrjes asnjëherë. Në nivele komunale nuk kemi as kryetar e as asambleista, jemi jashtëvendimarrjes.

Intervistoi: K.Misini

 

Shpërndaje në: