Viti i Hashim Thaçit

Viti i Hashim Thaçit

Në kohën kur të gjithë mendonin se Hashim Thaçi po e përfundon karrierën e tij politike me një post ceremonial, siç është ai i Presidentit të Kosovës, pa përgjegjësi të mëdha ekzekutive, ai ndërmorri veprime që e rikthyen edhe një herë në pozicionin e lojtarit kryesor të politikës në Kosovë.

I gjithë viti 2018 në Kosovë shkoi duke folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, që tash sipas paralajmërimeve mund të arrihet në pjesën e parë të këtij viti. Kur në fillim të vitit të shkuar raportohej e flitej se si pjesë e kësaj marrëveshjeve po negociohen edhe shkëmbimet e territoreve, pakkush e besoi një gjë të tillë, deri në momentin kur vetë Thaçi doli në publik dhe e përkrahi këtë ide, që thoshte se është e tij.

Presidenti Thaçi fliste se si përmes kësaj marrëveshjeje, me procesin e “korrigjimit të kufijve”, Kosovës do t’i bashkangjiteshin edhe tri komunat shqiptare në Serbi, Presheva, Medvegja e Bujanovci. Por nuk thoshte asnjëherë se çfarë mund t’i jepet Serbisë në këmbim, e që shumë njerëz besojnë që janë komunat veriore të Kosovës.

Thaçi pothuajse i vetëm nisi që t’i bëj marketing idesë së tij, duke shpeshtuar konferencat ku fliste për këtë temë, prej ku thoshte që ka në plan të përmirësojë gabimet historike, duke ia bashkangjitur Kosovës trevat e Luginës që banohen nga shqiptarët.

Por presidenti hasi në kundërshtime më të mëdha se që mund ta kishte menduar. Idenë e tij nisën ta kundërshtonin edhe ish-bashkëpartiakët në PDK. Kadri Veseli shpesh e kundërshtonte idenë e shkëmbimeve territoriale, duke e quajtur ide të Serbisë e Rusisë, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj nisi kundërshtim të hapur ndaj Thaçit, duke thënë se “kufijtë i luan vetëm çizmja”, duke e pasur fjalën për luftë.

Kjo nuk e dëshpëroi Thaçin. Ai njihet si një politikan që synimet e veta i arrinë përmes manovrave të ndryshme politike, që shpesh lënë në gjumë politikanët tjerë. Në një konferencë të vitit të kaluar Thaçi kërcënoi hapur kryeministrin Ramush Haradinaj me shkarkim, i cili pengonte atë në këtë synim me të gjitha mjetet e mundshme. Madje, shumë njerëz besojnë që edhe taksa ndaj Serbisë është bërë vetëm sa për të trazuar marrëdhëniet e Thaçit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 29 shtator të vitit 2018, Lëvizja Vetëvendosje me përkrahjen e disa zyrtarëve të LDK-së dhe të tjerëve nga shoqëria civile, mbajti një protestë me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”. Protesta u organizua kundër synimeve të Thaçit për marrëveshje me Serbinë, megjithatë, përkundër masivitetit të saj, Thaçi prapë nuk u ndal dhe e injoroi tërësisht masën protestuese. Madje, atë ditë ai vizitoi Liqenin e Ujmanit, që është territor i diskutueshëm në rast se Kosova e Serbia merren vesh për shkëmbime territoriale.

Vetëvendosje që prej asaj proteste ka bërë gjithnjë e më pak në kundërshtim të Thaçit. Përveç fjalimeve gjithnjë e më të zbehta në Kuvend e në media, zyrtarët e VV-së nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndërmarrin aksione më radikale kundër Thaçit, siç ishte protesta e fundit. Fundja, edhe ajo protestë shihej si një organizim sa për ta testuar fuqinë e vet, pas thyerjes që partia e Albin Kurtit kishte përjetuar kur 13 deputetë kishin dalë nga Vetëvendosje për të ndjekur një rrugë të re politike.

Sot Thaçi duket se i është afruar realizimit të idesë së tij më shumë se kurrë. Kuvendi i Kosovës tashmë ka votuar një ekip negociator, të cilit i prijnë Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, e këtyre dyve vetë Thaçi. Ai po ashtu ka marrë edhe një letër nga presidenti i SHBA-së Donald Trump ku i jepet përkrahje në realizimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila mendohet se do të sjell njohjen e Kosovës nga Serbia, ulësen në OKB dhe shfuqizimin e Rezolutës 1244.

Kritikët e tij janë lodhur, por jo edhe presidenti.

 

Shpërndaje në: