Viti i Mbrapshtë: Top 8 goditjet që i hëngri populli në vitin 2021  

Viti i Mbrapshtë: Top 8 goditjet që i hëngri populli në vitin 2021  

Ky vit, i quajtur 2021, ishte mosvet i vështirë për popullin e Kosovës. Ky popull, i quajtur popull,  pësoi goditje të njëpasnjëshme muaj pas muaji. Në këtë tekst, të quajtur tekst fundviti, do të numërojmë disa prej goditjeve më të rënda që iu dhanë popullit derisa Toka rrotullohej rreth Diellit.

Ishin 365 ditë, gjashtë orë e nëntë minuta mjaft të gjata e megjithatë mjaft të shkurta për popullin e Kosovës, një ndër popujt më të rinj në Evropë, të cilit iu thellua mjerimi, izolimi dhe paperspektiva.

Viti 2021 kishte ardhur me shumë shpresë. Vaksinat kundër pandemisë po zbuloheshin në shumë shtete të ndryshme dhe karantinat e mërzitshme dukej se do të mbeteshin relikte të së kaluarës. Në Kosovë po vinte në pushtet një lider politik që premtonte ndryshime rrënjësore. Kishte shpresë për hapjen e vendeve të reja të punës me ardhjen e investitorëve të rinj. Kishte shpresë për liberalizim të vizave nga BE-ja. Kishte shpresë për drejtësi sociale e për barazi. Kishte shpresë për rritje të gjithëmbarëshme rrogash. Për strehim të përballueshëm. E kështu me radhë.

Por, u zhgënjye!

Lideri i ri politik, Albin Kurti, menjëherë pasi uli veten në pozitën e kryeministrit të Kosovës – pozita më e pushtetshme në Kosovë – do të ndërmerrte një varg veprimesh tepër të përçudshme. Dhe veprimet e tij të përçudshme s’do të ndihmoheshin as nga një varg taksiratesh globale.

Pasionant zgjedhjesh

Partia e Albin Kurtit ia doli mbanë të fitonte zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit. Dhe, Kurti edhe pse do ta kishte të pamundur që të merrte pjesë si kandidat për deputet për shkak të një dënimi për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, s’do të ngurronte t’i shkilte fjalët e tij dhe të pranonte nominimin e partisë për kryeministër.

Në këtë pikë, ishte shkelur fjala kurtiane që kryeministri të mos zgjidhej nga partitë pa u zgjedhur nga populli. Nëse maksima më e famshme e Dekartit është “Mendoj, pra jam!” ajo e Dekurtit u bë “Mohoj veten, pra jam!” Po i themi “Dekurt” për shkak të referencës me filozofin e madh Dekartin (René Descartes 1596-1650) dhe si formë negacioni (“De”) për shkak të mohimit të vetes politikisht.

Pa asnjë votë, Kurti u ul në karrigen e kryeministrit. Sidoqoftë, të lodhur nga dramat politike askush nuk ia bëri të madhe fjalët e dikurshme.

Njëmbëdhjetë ditë pasi do të ulej në atë karrige, më 4 prill, Albin Kurti do të bënte pazare të çuditshme që ta ulte në pozitën e presidentes një grua me emrin Vjosa Osmani. Ai akuzohet nga oponentët politikë se ka bërë pazar me mafinë e ndërtimit pasi e mori në parti ish kandidaten e PDK-së për deputete, Adelina Graincën (nga familja pasanike Grainca) që t’i bashkohej Vetëvendosjes për t’i siguruar kuorumin e nevojshëm kandidates për presidente.

Goditja e parë drejt popullit ishte pikërisht ky marifet politik në stilin e mirënjohur Pronto.

Por, ky s’do të ishte angazhimi i fundit zgjedhor i kryeministrit Kurti. Pasi do ta ulte Vjosa Osmanin në pozitën e presidentes, ai do të udhëtonte drejt Shqipërisë duke provuar që t’i ulte në karrige deputetësh tre kandidatë nga partia e tij (Vetëvendosje). Kjo ishte goditja e dytë për popullin e Kosovës.

Por, për fat të keq angazhimi zgjedhor i Albin Kurtit s’do të merrte fund as me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Ai u angazhua maksimalisht që t’i shtynte zgjedhjet lokale të 17 tetorit, e më pas që të fitonte sa më shumë komuna pa balotazh. Pasi nuk ia doli asnjërës, ai u angazhua edhe në balotazhet e 14 nëntorit, ku arriti t’i fitonte vetëm katër komuna: Podujevën, Gjilanin, Shtimen, Kamenicën.

Dukej se kryeministri Kurti ishte i përgatitur për një gjë të vetme: të merrte pjesë në zgjedhje. Dhe po i rezistonte punës për të cilën ishte zgjedhur: vendim-marrjes!

Fjalori i tij gjatë kësaj fushate zgjedhore kishte qenë diskriminues ndaj popullit që s’i besonte duke premtuar se do ta hapte më shpejt telefonin dhe do të sjellte më shumë investime për kandidatët e partisë së tij. Prandaj, goditja e tretë konsiston në këtë diskriminim për tridhjetë e katër komuna tjera të Kosovës.

Politika hipokrite

Por, populli nuk u godit vetëm nga Albin Kurti. Populli u godit nga thuajse e gjithë skena politike që e tregoi fytyrën e saj hipokrite fillimisht në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Derisa vendi po përballej me rrezikun e varianteve të reja të koronavirusit, derisa popullit i bëhej thirrje që të respektonte distancën, të vendoste maskat e të mos mblidhej tubë, partitë politike organizuan tubime të turpshme elektorale.

Kjo goditje ndaj popullit është bërë nga të gjithë. Po e quajmë si goditja e katërt.

Pamje nga një tubim ku i pranishëm ishte edhe Albin Kurti

Për fat të mirë, pas presionit të madh medial që e bëri edhe Periskopi, fushata e turpit nuk u përsërit edhe në zgjedhjet e vjeshtës. Të gjitha partitë organizuan më pak tubime, dhe i shkelën më pak masat e pandemisë.

Gushti dhe shtatori i kobshëm

Gushti dhe shtatori ishin muajt më të rëndë për Kosovën prej që nisi pandemia e Covid-19. Qeveria nuk kishte arritur ta parashikonte valën e re të pandemisë, dhe kishte hequr restriksionet për ardhjen e diasporës.

Por, në javën e dytë të gushtit nisi një valë e madhe infektimesh dhe vdekjesh që trazoi edhe më shumë popullin.

Deri në 38 qytetarë në ditë do të vdisnin pas infektimit nga Covidi gjatë kësaj periudhe të kobshme. Mbi 600 qytetarë të vendit vdiqën vetëm në këta muaj, pak pasi ministri Arben Vitia i ftuar në një dasmë të hidhte vallen me dasmorë tjerë.

Sidoqoftë, përkundër situatës së rëndë shëndetësore, ministri i asokohshëm i Shëndetësisë kishte dhënë dorëheqje më 1 tetor për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore ku kishte kandiduar për kryetar të Prishtinës. Banana Republikë? Pa dyshim që Banana Republikë edhe pse çmimi i bananeve është rritur.

Kjo ishte goditja e pestë dhe ndoshta më e rënda për popullin gjatë këtij viti.

Rritja enorme e çmimeve

Dëmet ekonomike të shkaktuara nga mbyllja e vendit ishin të konsiderueshme. Megjithatë, hapja e vendit ringjalli ekonominë që ia doli mbanë ta merrte veten po ashtu në ritme të konsiderueshme. E gijthë kjo, kryesisht falë remitencave të diasporës dhe konsumit në rritje nga populli. Por, duhet t’i japim hakun që meritojnë edhe Pakove Emergjente të bërë nga Qeveria Hoti dhe pastaj edhe pakove të Qeverisë Kurti II. Bile diçka!

Rritja e çmimeve të produkteve bazike

Gjendja e çmimeve më 11 tetor 2021

Megjithatë, përkundër që përgjithësisht bëri një punë të mirë me ndihmat për popullin (me përjashtim të shkurtimit të shtesave për pensionistë dhe me rrudhjen drakonike të shtesave për luftëtarët e parë ndaj pandemisë, infermierët dhe mjekët) Qeveria Kurti II nuk ia doli ta mbronte qytetarin nga rritja enorme e çmimeve.

Rritja filloi të vërehej qysh në muajin shtator, me një ndryshim drastik të çmimit të vajit të lulediellit. Më pas, rritje pësuan edhe produktet tjera bazike si buka, vezët, sheqeri, kripa etj. Dhe, kryeministrit të vendit i doli një video si opozitar kur premtonte uljen e çmimeve bazë për produktet bazë në mënyrë që ta lehtësonte varfërinë e popullit.

Kjo nuk ndodhi. Për më tepër, edhe inspektorët që mbikëqyrin nëse rritja e çmimeve është e arsyeshme apo abuzive duken mungues derisa çmimet e të gjitha produkteve tashmë kanë fluturuar.

Kjo ishte goditja e gjashtë që iu bë popullit. Secili anëtar i popullit, prej të papunëve e deri te mjekët e arsimtarët e rojtarët e pastruesit, është realisht më i varfër se që ishte disa muaj më herët.

Vjedhja e zërit 

Populli dha votën e tij dy herë gjatë këtij viti (në komunat që ishin në balotazh, madje tri herë) por edhe procesi i votimit duket goxha i rremë marrë parasysh atë që po ndodh vazhdimisht në rrjetet sociale.

Sidomos në Facebook, ka një mbipopullim të profileve të rreme që u kanë vjedhur zërin qytetarëve të thjeshtë të vendit. Nuk dihet më se çka mendon realisht populli, duke qenë se shumica e profileve më aktive janë profile të rreme. Ajo që mendon populli është pështjellur me atë që mendojnë profilet e rreme të hapura nga militantët partiakë. Populli është kapur!

Se sa larg ka shkuar mashtrimi, tregon edhe fakti se në grupin “Me Kryeministrin” ku postonin edhe deputetë të pushtetit aprovoheshin edhe postime nga profile të rreme, siç ishte rasti me z. Via Smith.

Askush nga politikanët nuk ka marrë përgjegjësi për këto raste flagrant të cenimit të demokracisë, e madje asnjëri nuk ka bërë thirrje që ky fenomen negativ të ndalet. Në shumë e shumë vende të botës, profilet e rreme dhe sjellja joautentike online është bërë temë shumë e rëndësishme politike. Por, duket se në Kosovë ende nuk ka një vetëdije aq të lartë për t’i kuptuar të gjitha të këqijat që vijnë me të.

Kjo është goditja e shtatë që populli e mori gjatë vitit 2021.

Reduktimet e rrymës

Kriza energjetike po përflitej vazhdimisht prej muajit maj të vitit 2021. Evropa po vuante nga rritja e çmimeve të derivateve me mbetje fosile, dhe ashtu siç ishim prekur nga pandemia pritej të prekeshim edhe nga kjo krizë.

Qeveria thënë popullorçe “i kishte futur veshtë në lesh”.

Fillimisht, kriza energjetike u ndje nga punëtorët e Ferronikelit të cilëve iu mbyll fabrika ku punonin për shkak të pamundësisë për të siguruar profit nga blerja e energjisë elektrike me çmime marramendëse.

Ata u trajtuan thjesht si “punëtorë të një kompanie private” përkundër që ishin e janë pjesë e popullit.

Por, pas punëtorëve të Feronikelit kriza do të trokiste edhe në çdo familje kosovare. Ministrja Artane Rizvanolli do t’i kërkonte popullit që të kursente rrymën, të mos nxehej me rrymë, të mos linte joystick-ët e Playstation në “stand-by” e të fikte dritat kur dilte nga filan dhome.

Më pas, javën e fundit nisën edhe reduktimet e rrymës.

Kjo ishte një tjetër goditje e rëndë për popullin që megjithatë gjatë kësaj dekade përkundër të gjitha telasheve tjera është furnizuar me rrymë në mënyrë të rregullt. Kurti i la fajin qeverive të mëhershme, por popullit iu kujtua se kjo situatë nuk përngjante me vitet 2010 por me vitet menjëherë pas lufte.

Kjo është goditja e tetë dhe e fundit që po e përmendim në këtë artikull.

Shpërndaje në: