Vizita në Hagë, Konjufca: Gjykata Speciale “gjykatë e zorit”, jemi të brengosur për procesin gjyqësor

Periskopi.com Lajme

Kryeparlamentari Glauk Konjufca po qëndron në vizitë në Hagë, për t’u takuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Konjufca ka deklaruar se deri tash ka takuar Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën.

Ai tha se është shumë i brengosur për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tha se, anipse ka kohë prej kur dihet aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ky proces po merr kohë të gjatë për t’u kryer.

“Me këtë që po e shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur sepse janë bërë 24 muaj prej kur ne e dimë se cila është aktakuza. Me e pasë aktakuzën e shkruar dhe mos me fillu procesi gjyqësor, atëherë shtrohet pyetja pse këta njerëz nuk janë mbrojtur deri tash në liri. Kjo mund të përkufizohet si izolim.”

Konjufca e quajti Gjykatën Speciale “gjykatë e zorit”.

“Ne si Kosovë dhe si institucione të këtij vendi e shohim si shqetësim. Kemi pasë mospajtime të mëdha për themelimin e Gjykatës Speciale. Nuk është se është bërë prej qefit, mirëpo ka qenë njëfarë gjykate e zorit me thënë të drejtën. Edhe ata që e kanë ngritur dorën pro Gjykatës kanë menduar se po të mos bëhej prej Kosovës do të bëhej prej Kombeve të Bashkuara dhe prapë Kosova do të pësonte. Pra e dimë se atëherë nuk ka qenë lehtë as pë rata që kanë votuar kundër e as për ata që kanë votuar pro kësaj Gjykate”, tha Konjufca.

“Puna e saj e deritashme ka shumë defekte për arsye se ajo që menjëherë merr vëmendjen ka të bëjë me faktin se po bëhen gati dy vjet prej kur ish-krerët janë brenda të izoluar dhe procesi gjyqësor nuk po fillon”, shtoi tutje ai.

Konjufca po ashtu deklaroi se nesër pritet që të takohet me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.