Vjen reagimi i Rusisë për raportin e Muellerit: U vërtetua ajo që dinim qëmoti

Vjen reagimi i Rusisë për raportin e Muellerit: U vërtetua ajo që dinim qëmoti

Zyrtarët rusë i kanë mirëpritur rezultatet e raportit të hetuesit special, Robert Mueller, në të cilin thuhet se Donald Trump dhe ndihmësit e tij nuk kanë bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Sidoqoftë, ata nuk presin që ky raport t’i përmirësojë marrëdhëniet mes Rusisë dhe shteteve perëndimore.

“Raporti i Muellerit e ka vërtetuar atë që ne në Rusi e kemi ditur qëmoti. Nuk ka konspiracion mes Trumpit apo anëtarëve të ekipit të tij me Kremlinin”, tha Konstantin Kosachev, shef i Këshillit Federal për Çështje të Jashtme.

Duke i fajësuar raportimet e medieve amerikane dhe qëndrimeve kundër Rusisë, Kosachev dhe zyrtarë tjerë të lartë rusë thanë se presin që Shtetet e Bashkuara ta shtojnë presionin ndaj Rusisë dhe se po përgatiten për sanksione të reja.

“Ne në Rusi nuk kemi arsye për të festuar, akuzat ndaj vendit tonë mbesin ende”, tha Kosachev. Ai tha se Rusia është e gatshme t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por ende ekzistojnë disa pyetje që duhet të marrin përgjigje.

Kryetari i komisionit parlamentar për punë të jashtme shkroi: “Të gjitha këto mite për përfshirjen famëkeqe ruse janë shpikur thjesht si pretekst për ta vazhduar presionin ndaj vendit tonë”.

Sidoqoftë, Kremlini ka refuzuar ta komentojë rezultatin e raportit të Muellerit. “Ne nuk e kemi parë këtë raport. Vështirë se ndokush e ka parë atë, prandaj nuk kemi mundësi ta komentojmë atë në hollësi”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, shkruan “The Guardian”, transmeton  Express.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: