Vjen reagimi nga Franca pas deklaratave të kancelarit për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Vjen reagimi nga Franca pas deklaratave të kancelarit për anëtarësimin e Ballkanit në BE

Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Cochard, ka deklaruar sot se perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e sinqertë dhe me dinamikë precize, duke shtuar se ky është qëndrimi që mban presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ai ka theksuar se Serbia duhet të pozicionohet më qartë në lidhje me luftën në Ukrainë dhe se Beogradi ka qëndrim të përbashkët për këtë çështje me vendet e Bashkimit Europian.

Ai shtoi se gëzohet që këtë e ka theksuar edhe kancelari Olaf Scholz, i cili priti në Berlin kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.

“Është një proces kërkues dhe afatgjatë, por së bashku duhet të përpiqemi ta bëjmë atë më të hapur ndaj opinionit publik dhe tashmë kemi rezultate. Data është një qëllim i rëndësishëm, këtë e dimë të gjithë, por qytetarët e Serbisë tashmë përfitojnë shumë nga BE-ja, siç janë programet “Horizon”, “Erasmus” dhe investime të ndryshme të prekshme”, tha ai, shkruan Blic.rs.

Ai shtoi se ka nevojë për harmonizim dhe është normale që BE-ja të insistojë në një vizion të përbashkët.

“Serbia e pranoi se pushtimi i Ukrainës ishte një shkelje e integritetit të saj territorial dhe votoi me shumicën dërrmuese të vendeve në New York dhe organizata të tjera ndërkombëtare, gjë që është e rëndësishme”.

Cochard shtoi se ndonjëherë ka “lodhje” nga zgjerimi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shpërndaje në: