Vjosa Osmani, Agim Bahtiri, Ilir Deda? Zëra që vetëm kokorasin!

Politologu, Xhemal Ahmeti në një prononcim për ‘‘GazetaBlic’’ ka komentuar deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e tri partive në koalicion LDK-AKR-Alternativa (LAA), Vjosa Osmani, Agim Bahtiri e Ilir Deda, të cilët njëzëri janë shprehur kundër bashkëpunimit të koalicionit të tyre me PDK-në.
Ahmeti të tre këta zyrtarë të koalicionit LAA i ka quajtur si zëra jolegjitim të cilët janë aty vetëm që të zbavisin median por që asesi nuk duhet të merren seriozisht. Këtë e arsyeton Ahmeti, duke thënë se këta individë nuk mund të vendosin se partitë që ata i’u takojnë me kënd të qeverisin e me kënd jo.
‘‘Kush vendos se një parti shkon apo jo në ndonjë qeverisje? Mekanizmat e zgjedhura demokratike të një partie apo ndonjë person i veçantë i partisë, cilidoqoftë ai?’’, thotë Ahmeti, raporton Gazeta Blic.
Më tej, Ahmeti thotë se duhet të certifikohen zgjedhjet, pastaj të mbahen kuvendet e mbledhjet e partive me shefat e degëve e pastaj të flitet për koalicione, sepse në të kundërtën zërat e veçantë ‘’kot kokorasin’’, siç shprehet ai.
‘‘… pa u certifikuar zgjedhjet, pa u mbajtur kuvendet, mbledhjet e partive me shefat e degëve dhe tjerët kot krrokasin persona të veçantë’’, thotë Ahmeti
Vjosa Osmani, sipas Ahmetit trajtohet gabimisht nga media si një zë pozitiv brenda LDK-së, sepse politika e saj dhe e njerëzve sikurse ajo mund të cilësohet si anti-LDK dhe faktorë që ka ndikuar në tkurrjen e kësaj partie dhe rrëzimin e qeverisjes Mustafa. Sipas tij, individë të tillë kanë bërë shkelje të rregullave të partive duke vënë partitë e tyre në presion për shkak të teorive të tyre personale.
‘‘Vjosa Osmani trajtohet gabimisht nga mediat. Ose vetëm njënashëm si zëri pozitiv i LDK-së. Është po aq politika e saj dhe kolegëve të saj anti-LDK që ndikoi në tkurrjen dhe humbjen e partisë dhe rënies e qeverisë që udhëhiqte LDK. Edhe kjo bën shkelje të rëndë të rregullave partiake kur futë nën presion partinë që të veprojë sipas teorisë së saj’’, u shpreh Xhemal Ahmeti.
Në anën tjetër Agim Bahtiri nuk mund të vendos për koalicionin LAA, sepse brenda këtij koalicioni fjalën kryesore e ka LDK dhe se AKR edhe po të vendos të mos shkoj në qeveri me PAN-in kjo nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe, sepse nevojiten vetëm votat e LDK-së, thotë Ahmeti.
Politologu Ahmeti thotë se nuk bëhet fjalë që koalicioni LAA të futet në qeverisje me PDK-në sepse brenda PAN-it mandatar për kryeministër është Ramush Haradinaj nga AAK dhe se ky është një dallim i madh./GazetaBlic.com/