Vjosa Osmani: Jo negociata me krimin e organizuar – krimi i organizuar u ndihmua nga politikanë të caktuar

Vjosa Osmani: Jo negociata me krimin e organizuar – krimi i organizuar u ndihmua nga politikanë të caktuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më në fund ka reaguar për aksionin në katër rajone të vendit – përfshirë edhe veriun, çka prodhoi tensionet e fundit.

Ajo ka kërkuar që të mos ketë negociata me krimin e organizuar dhe kontrabandën.

“Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik.” – është shprehur presidentja, përcjell Periskopi.

Ajo thotë se kontrabandistët kanë marrë ndihmë edhe nga politikanë të caktuar të Kosovës, por pa i përmendur me emra.

“Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.” – ka shkruar znj. Osmani.

Reagimi i presidentes:

Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.

Shpërndaje në: