Vjosa Osmani: Roli im në LDK, më aktiv se i çdokujt tjetër

Periskopi.com Lajme

Vjosa Osmani thotë se ka punuar dhe ka insistuar që koalicioni me Vetëvendosjen të bëhet. E pyetur nëse po qëndron larg vendimeve të LDK’së, Osmani ka thënë se roli i saj është më aktiv se i çdokujt tjetër në parti.

Kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani,  ka folur për takimet që ajo realizoi në Gjermani gjatë një vizite dyditore.

“Ne si LDK kemi treguar vullnet jashtëzakonisht të mirë që të diskutojmë me respekt në raport me partnerin tonë potencial VV-në. Presim që i njëjti respekt të kthehet në mënyrë që bashkëpunimi ynë të jetë i mirë, i suksesshëm në qeverinë e ardhshme. Gjatë këtyre dy ditëve kisha takime intensive me partnerët tanë në CDU, në radhë të parë, në zyrën e kancelares në MPJ në Bundestag. Natyrisht ka interesim të madh në Gjermani për ngjarjet në Kosovë dhe e kam potencuar edhe këtu në takime ashtu sikurse në Kosovë që qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre për ndryshim me gjashtë tetor dhe tani na takon secilit prej nesh të bëjmë të pamundurën që atë vullnet ta nderojmë dhe ta kthejmë në koalicion të suksesshëm. Besoj që në ditët në vijim do të ketë lëvizje pozitive dhe secili prej nesh duhet të shikojë se si të kontribuojë pozitivisht në mënyrë që kjo marrëveshje të arrihet”, ka thënë Osmani për RTK.

E njëjta shtoi se LDK ofertën e vetë e bën vetëm në tavolinën e bisedimeve, sepse ky është parim themelor i negociatave derisa ato të vazhdojnë.

 

Shpërndaje në: