Vjosa Osmani shkruan status emocional për 1 qershorin: Thotë se fëmijët duhet të na rrëfejnë udhën përpara

Vjosa Osmani shkruan status emocional për 1 qershorin: Thotë se fëmijët duhet të na rrëfejnë udhën përpara

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një statusi në Facebook ka nderuar Ditën e Fëmijëve, 1 qershorin përmes disa fjalëve të zgjedhura. 

Osmani ka himnizuar fëmijët kosovarë për kreativitetin dhe çiltërsinë, ndërsa ka denoncuar shkeljen e të drejtave dhe lirive të tyre, përcjell Periskopi.

“Çiltërsia e tyre, kreativiteti me të cilin ata e shohin përçdoditshëm jetën, duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për ta krijuar vizionin tonë për botën.” – shkruan znj.Osmani. 

Ajo ka treguar se në videon që ka shpërndarë në Facebook duken disa fëmijë nga muaji shkurt i këtij viti, dhe nga aktualisht.

Ditën e fëmijëve e kanë uruar edhe të tjerë politikanë dhe aktivistë.

Kujtojmë që dje Qeveria mori vendim për hapjen e çerdheve për fëmijët nga moshat 0 deri në 5 vjeç, një vendim që u kritikua se nuk ishte i paralajmëruar për drejtuesit e çerdheve që të kryenin përgatitjet e nevojshme për një gjë të tillë.

Statusi i plotë: 

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e mbarë bota i kthen sytë dhe vëmendjen kah ata që na ofrojnë jo vetëm dashuri të përhershme, por edhe pikëvështrimin më të çiltër për botën. Në anën tjetër, kjo ditë shërben edhe si ditë reflektimi e thirrjeje të ndërgjegjes për shkeljet e shumta e të vazhdueshme ndaj lirive dhe të drejtave të tyre.
Prandaj, në këtë ditë të veçantë për ta, ne duam që vëmendjen tonë ta kthejmë nga mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe i lirive të tyre jo vetëm sot por çdo ditë, si dhe të bëjmë thirrje edhe një herë që vullneti i tyre për ta parë një botë më të mirë të na shërbejë si orientim për sjelljen tonë. Çiltërsia e tyre, kreativiteti me të cilin ata e shohin përçdoditshëm jetën, duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për ta krijuar vizionin tonë për botën.
Fatkeqësisht, për shkak të pandemisë globale me virusin Covid-19, ne në Kuvendin e Kosovës sivjet këtë ditë po e shënojmë pa praninë e fëmijëve në sallën tonë plenare dhe pa kënaqësinë që ata na e japin kur në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit i shpalosin lirshëm idetë e tyre kreative mbi jetën e shoqërinë dhe kur, pa ngurrim, na i rikujtojnë përgjegjësitë që ne të rriturit i kemi ndaj tyre. Por, kjo nuk na ndalon që të mendojmë sot dhe çdo ditë tjetër për promovimin e të drejtave dhe të lirive të tyre.
P.S. Video nga shkurti i këtij viti.

Shpërndaje në: