Von Cramon: Lajmet nga Bullgaria më bëjnë optimiste për rezultatet e Samitit të BE’së

Von Cramon: Lajmet nga Bullgaria më bëjnë optimiste për rezultatet e Samitit të BE’së

Eurodeputetja Viola von Cramon po i gëzohet lajmeve pozitive që po vijnë nga Bullgaria, pas sinjaleve që dha ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i cili, si lider i partisë opozitare GERB, i ka dhënë mbështetje propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të saj.

“Kjo tingëllon mirë (Borissov nuk do të lejojë që qeveria të rrëzohet për Maqedoninë e Veriut?) që më bën më optimiste për rezultatin e samitit BE-Ballkan Perëndimor nesër në Bruksel”, ka shkruar Cramon në Twitter.

Borisov të mërkurën i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Kirill Petkov, që të paraqesë propozimin në Parlament, që të miratohet nga shumica e ligjvënësve bullgarë. Borisov e ka vlerësuar si “shumë të mirë” propozimin francez, meqë, siç ka thënë, i përmban të gjitha kërkesat e palës bullgare.

Pas këtyre lëvizjeve në Bullgari, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të marrin pjesë në samitin dyditor që fillon nesër në Bruksel.

Për këtë propozim në orët e pasdites pritet të nisë debati në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë dhe me mbështetjen e partisë GERB, propozimi do të miratohej nga deputetët në seancë plenare. Parlamenti bullgar, ndërkohë, po debaton edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Share Now

 

Shpërndaje në: