Von Cramon reagon për ngjarjen tragjike në Deçan, kërkon hetim sa më të shpejtë

Von Cramon reagon për ngjarjen tragjike në Deçan, kërkon hetim sa më të shpejtë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon ka shprehur ngushëllime pas vrasjes së tre personave në një autobus që po barte nxënës nga Gjakova në Deçan.

Me anë të një postimi në Twitter, Von Cramon ka kërkuar hetim të shpejtë për rastin.

“Ngushëllimet e mia të thella popullit të Kosovës për humbjen tragjike të 3 jetëve në sulmin monstruoz të djeshëm në Gllogjan. Hetimi i shpejtë dhe vënia para drejtësisë e sulmuesit është një domosdoshmëri”, ka shkruar ajo.

Policia e Kosovës ka dal me raport për sulmin makabër që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një.

Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.

“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58.  Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj  dhe një femër (nxënës) janë dërguar në  Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

Shpërndaje në: