Votojeni!

Votojeni!

Të nderuar deputetë të Republikës së Kosovës, ju që jeni pjesë e pushtetit e opozitës, ju që thirreni në emër të popullit, ju që përfaqësoni interesat tona aty: guxoni të veproni!

Të nderuar përfaqësues të popullit, është koha të tregoni (një herë në karrierën tuaj) se jeni në gjendje të merrni vendime të mëdha.

Është koha t’ua dëshmoni qytetarëve se meritoni të jeni aty ku jeni.

Është koha t’i tregojmë miqve ndërkombëtarë se përfaqësuesit e popullit të Republikës së Kosovës vendosin në të mirë të vendit dhe nuk shikojnë inate personale e partiake, se interesi shtetëror është mbi të gjitha.

Është koha t’ua mbyllim gojën armiqve, atyre që nuk dëshirojnë të shohin përparim e progres, të tillë keni edhe në Kuvend.

Për hir të gjakut të dëshmorëve, për hir të ëndrrave të atyre që luftuan e nuk e arritën lirinë e pavarësinë, për hir të të gjitha femrave të dhunuara, për hir të fëmijëve të dëshmorëve, për hir të fëmijëve tanë, së ardhmës së këtij vendi, për hir të veteranëve, VOTOJENI!

Na lironi nga ky burg, na lironi nga ky izolim. Liria dhe pavarësia jonë nuk kanë kuptim pa liberalizim të vizave. Kjo ngjason në një pushtim veçse në formë e trajtë tjetër.

Të nderuar deputetë, tradhti kombëtare është nëse nuk e votoni jo nëse e votoni.

Qytetarët sytë i kanë nga ju, nuk është proces i lehtë , ju kuptojmë, por prandaj jeni aty për të marrë vendime të vështira në dobi të shtetit.

Jepjuni kuptim ëndrrave dhe dëshirave të fëmijëve tanë! Për hir të tyre votojeni.

Shpërndaje në: