Vrasja e dyfishtë në Basel, arrestohet 41 vjeçari shqiptar

Vrasja e dyfishtë në Basel, arrestohet 41 vjeçari shqiptar

Pas vrasjes së dy personave me shtetësi shqiptare në një kafene në Basel më 9 mars 2017, policia e ka arrestuar një të dyshuar për rastin.

Sipas të dhënave të Prokuroisë së Kantonit të Baselit, fjala është për një 41-vjeçar me shtetësi shqiptare. Për të ka dyshime të forta lidhur me incidentin ku ngelën të vrarë dy shqiptarë.

Gjykata e Apelit ka vendosur për të tre muaj burg hetues. Ndërkohë që një i dyshuar tjetër, gjithashtu shtetas shqiptar, gjindet në arrati.

Komisioni i Posaçëm i Policisë Kriminale ka intervistuar një numër të madh personash dhe i ka vlerësuar gjurmët e krimit. Ende nuk është sqaruar nëse vrasja është një larje hesapesh në botën e drogës. Sipas policisë, hetimi është shumë i vështirë dhe i gjerë.

Zhvillimi i saktë i ngjarjes dhe motivet e saj vazhdojnë të jenë objekt i hetimeve. Dorasit ishin futur në Cafe 56, në afërsi të Musical Theaters, nga ora 20.15 dhe kishin shtënë disa herë. Të vrarët janë dy shqiptarë të moshës 28 dhe 39 vjeç. Një shqiptar 24-vjeçar ngeli i lënduar rëndë, transmeton Basler Zeitung.

24-vjeçari i fundit ndërkohë e ka lëshuar spitalin. Më pas, për shkak të një pezullim-hyrjeje në Zvicër të vendosur nga Enti i Emigracionit, ai fillimisht është dërguar në burgun për të dëbuarit dhe më pas është nisur për në vendlindjen e tij.

Policia vazhdon të kërkojë persona të cilët mund të japin informacion lidhur me incidentin në të cilin u vranë dy shqiptarë në Basel dhe një tjetër ngeli i plagosur. /Dialogplus

Shpërndaje në: