Vrasja e Triumf Rizës, ish-drejtori i Krimeve të Rënda thotë se hetuesit i kishin thënë se nxitës kishte qenë Sekiraqa

Periskopi.com Lajme

Prishtinë –Ish-drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, Latif Merovci ka thënë se kryesi i vrasjes së Triumf Rizës ka qenë i panjohur derisa njësitet kishin qenë në vendngjarje, ndërsa nga hetuesit kishte dëgjuar se nxitës i kësaj vrasje ishte Enver Sekiraqa.

Një deklaratë të tillë Merovci e ka dhënë në seancën e mbajtur të hënën, në rastin ku Enver Sekiraqa akuzohet akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj, dëshmitari Latif Merovci, ka thënë se në vitin 2007, kur kishte ndodhur vrasja e Rizës, ai kishte pasur pozitën e drejtorit të hetimit të krimeve të rënda.

“Vrasja ka qenë para orës 16:00, ai është edhe orari i rregullt i yni edhe pse ne punojmë edhe pas kësaj ore, jemi njoftuar ose prej qendrës operative qendrore ose prej njësiteve të hetimeve rajonale, apo edhe nga radio-lidhja”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari Merovci tha se pas njoftimit se kishte ndodhur vrasja e ish-zyrtarit policor Triumf Riza, togeri Fadil Gashi dhe hetuesit e sektorit të krimeve të rënda kishin dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa ai personalisht tha se nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes.

I pyetur se a është njoftuar prokurori për këtë rast, dëshmitari ka thënë se fillimisht në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e stacionit policor, njësitë rajonale të Prishtinës, ekipi i sektorit të krimeve të rënda, ndërsa sipas tij, prokurori Osman Mehmeti ka qenë në vendin e ngjarjes, por tha se nuk ka njohuri se kush e kishte njoftuar.

Dëshmitari deklaroi se derisa njësitet kishin qenë në vendin e ngjarjes, nga njoftimet që i kishte marrë nga togeri Fadil Gashi, kryesi i veprës penale ka qenë i panjohur.

“Më është thënë se kryesi i veprës penale të vrasjes ka shtënë me armë në drejtim të viktimës dhe është larguar me shpejtësi, dyshimet kanë qenë që kryesi ka dalë për ta vrarë viktimën, ngase nuk ka pasur asnjë konflikt verbal apo fizik në mes të kryesit dhe viktimës”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, njëri prej dëshmitarëve okular ka bërë një fotografi në drejtim të kryesit të vrasjes.

I pyetur nga prokurori se në vendin e ngjarjes a janë bërë propozime që të bëhen bastisje, dëshmitari ka thënë se leje për kontroll dhe bastisje nuk është kërkuar ngase nuk duhet domosdo.

“Nga vendi i ngjarjes, togeri Fadil Gashi më ka njoftuar se sipas vlerësimit të ekipit hetimor nga informacionet e mbledhura në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim me prokurorin, do të kryen disa bastisje”, ka thënë dëshmitari Merovci.

Sipas dëshmitarit, e kishin njoftuar se ishte parë të arsyeshme që të bëhen disa bastisje si: në lokalin e Enver Sekiraqës, shtëpinë, objekteve përcjellëse, si dhe disa të dyshuarve të tjerë.

Ai ka thënë se i është kërkuar që nga gjyqtari i procedurës paraprake të kërkohet urdhri verbal.

“Prokurori me ekipin hetimor kanë vlerësuar të kryhen disa bastisje dhe kanë kërkuar nga unë që të kontaktoj me gjyqtaren e procedurës paraprake Drita Hoxha dhe ta marr urdhrin verbal për bastisje”, ka thënë dëshmitari Merovci.

Merovci tha se pas kësaj kërkese, kishte kontaktuar gjyqtaren Hoxha dhe nga ajo ka marrë urdhrin verbal për bastisje dhe pas marrjes së këtij urdhri tha se ia kishte komunikuar menjëherë togerit Gashi dhe prokurorit Mehmeti.

Prokurori Gecaj ia prezantoi dëshmitarit katër procesverbale të bastisjes, në tri prej tyre figuron se bastisja është kryer me urdhrin e gjyqtares Drita Hoxha, kurse në njërin procesverbal nuk është shënuar fare emri i gjyqtarit.

“Shumë njësi kanë qenë të angazhuara për kryerjen e bastisjeve, andaj ngatërrimi i emrit apo mos shkruarja e tij mund të jetë rezultat se kanë qenë shumë njësi të angazhuara dhe hetuesi ka mundur të mos e shkruajë”, është përgjigjur dëshmitari Merovci.

Sipas dëshmitarit, ai personalisht ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, por jo në pjesën e cila ka qenë e rrethuar me shirit, si dhe në afërsi të lokalit Sekiraqa.

Dëshmitari e arsyetoi shkuarjen e tij në afërsi të lokalit Sekiraqa me informacionet në teren se Enver Sekiraqa mund të jetë kryes i mundshëm i kësaj vrasjeje, pasi sipas tij, ka ekzistuar një historik i konfliktit në mes të ndjerit Riza dhe të akuzuarit Sekiraqa.

“Jam njoftuar nga hetuesit se personi i dyshimtë që mund ta ketë kryer këtë vrasje është Enver Sekiraqa”, ka thënë dëshmitari.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se pesë minuta sa kishte qëndruar në afërsi të lokalit Sekiraqa nuk ka qenë në dijeni se çfarë veprimesh po ndërmerrnin njësitet policore, mbrojtësja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi e pyeti se a do të thotë kjo se njësitet policore kanë hyrë në lokalin Sekiraqa akoma pa e siguruar urdhëresën verbale nga gjykata.

“Nuk do të thotë ashtu, jo domosdo, nuk do të thotë se nuk kanë pasur urdhër verbal kur kanë hyrë njësitë”, është përgjigjur dëshmitari.

Por, avokatja Kosovare Kelmendi, e pyeti dëshmitarin lidhur me një raport të vendit të ngjarjes, ku sipas këtij raporti figuron se bastisja në lokalin Sekiraqa ka ndodhur para se të jepet urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Bastisja kërkon urdhër, ndërsa shikimi i vendit të ngjarjes nuk kërkon urdhër. Çka kanë bërë njësitë tjera policore, bastisje nuk besoj dhe nuk ka filluar pa marrë urdhër verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake. Kjo nuk nënkupton që nuk është ndalë dikush në qytet, nuk është pyetur dikush si dëshmitar, nuk është arrestuar ndonjë prej të arrestuarve, por bastisja me njohuri që kam është kryer pas urdhrit verbal”, është përgjigjur dëshmitari Merovci.

Avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin se çka ka kërkuar policia një orë e 15 minuta pas vrasjes së të ndjerit Riza, në lokalin Sekiraqa, kur në atë kohë as për hetuesit në teren e as për dhomën e incidentit, akoma nuk ka qenë i identifikuar ndonjë i dyshuar për këtë vrasje.

“Nuk ka qenë i identifikuar kryesi i veprës orën e parë pas vrasjes, por policia nuk ka mundur me ndejt pa bë asnjë veprim, me bë “sehir”, mos me marrë asnjë dëshmitar”, ka thënë dëshmitari.

Por, avokatja Kelmendi ka thënë se në shkresat e lëndës nuk ekziston as edhe një dëshmitar okular i cili e ka parë ngjarjen, përveç një dëshmitari që e ka fotografuar të dyshuarin duke ikur, dhe e pyeti dëshmitarin se cilat ishin indiciet që policinë e drejtuan në lokalin Sekiraqa, akoma pa e zbuluar kryesin.

“Këto pyetje mund t’ua parashtroni hetuesve dhe përgjegjësve që kanë qenë të kyçur në këtë rast”, ka qenë përgjigjia e dëshmitarit.

Avokatja e pyeti dëshmitarin lidhur me procesverbalin e bastisjes së lokalit Sekiraqa, në të cilin nuk figuron emri i gjyqtarit të procedurës paraprake, si dhe sipas saj, ora e batisjes është 19:15 minuta, ndërsa përfundimi në 19:45 minuta, ndërkaq në raportin e teknikës kriminalistike, sipas avokates, është konstatuar se në lokalin Sekiraqa kanë arritur në ora 18:50 minuta, ndërsa në fotoalbum figuron koha 17:40 minuta.

“Të gjitha këto pyetje mund t’ua parashtroni hetuesve. Ka mundur që kushdo që e ka përpiluar procesverbalin që nuk figuron emri i gjyqtarit, nuk iu ka kujtuar emri i gjyqtares dhe për atë ka mundur të mos shënohet”, është përgjigjur dëshmitari.

Por, avokatja Kelmendi e pyeti dëshmitarin se edhe në një tjetër procesverbal, në të cilin figuron emri i gjyqtarit, nuk është emri dhe nënshkrimi i hetuesve policorë.

“Mund t’i kontaktoni hetuesit dhe ata do ju japin sqarime. Besoj që emrat e hetuesve që kanë pjesë në bastisje duhet të jenë të shkruar”, është përgjigjur dëshmitari Merovci.

Dëshmitari ka thënë se emri i Arben Berishës, i cili edhe e kishte pranuar se e kishte privuar nga jeta të ndjerin Riza ishte i njohur për policinë.

Ai ka thënë se si udhëheqës i hetimeve për vrasjen e Rizës, nuk i ishte paraqitur asnjë vërejtje për ndonjërin nga hetuesit policor.

Dëshmitari shtoi se sipas informacioneve, i ndjeri ka qenë duke u përcjellë edhe më herët para se të vritet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi se a ka dëgjuar nga dikush se Enver Sekiraqa e ka nxitur vrasjen e të ndjerit Riza, dëshmitari ka thënë se nga hetuesit kishte dëgjuar se nxitës i kësaj vrasje ishte Sekiraqa.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 8 shtator 2021.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Shpërndaje në: