Vuçiq i alarmuar pas darkës: Kosova nesër aplikon për anëtarësim në Këshill të Evropës

Vuçiq i alarmuar pas darkës:  Kosova nesër aplikon për anëtarësim në Këshill të Evropës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës nesër, duke paralajmëruar se ndaj këtij veprimi Serbia do të reagojë politikisht.

Gjatë një adresimi para mediave pas darkës joformale në Bruksel, ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka konfirmuar se Prishtina do ta aplikojë për anëtarësim nesër, shkruajnë mediat serbe.

Me shqetësim, Vuçiq ka thënë se situata për Serbinë është komplekse dhe se kjo gjë është shkelje e të gjitha normave ndërkmbëtare. Ai është ankuar se nuk janë zhvilluar bisedimet për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë për më shumë se 3,310 ditë.

“Një periudhë shumë e vështirë dhe një stuhi është para nesh. Prishtina po do ta përdorë situatën në Ukrainë, duke thënë se Serbia është një zgjatim i Rusisë, duke e prezantuar veten si një luftëtare të madhe të influencës ruse”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka paralajmëruar se një mbledhje e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë do të mbahet brenda 36 orëve.

“Do të nisim reagimet politike. Nëse dikush mendon se mund të na shantazhojë dhe ta thyej Serbinë me presion, nuk do të jetë aq lehtë siç mund të imagjinohet”, ka deklaruar presidenti serb.

Shpërndaje në: