Vuçiq: Jemi të gatshëm për marrëveshje për të pagjeturit me Kosovën

Vuçiq: Jemi të gatshëm për marrëveshje për të pagjeturit me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë.

“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit”, tha Vuçiq pas vendosjes së kurorave me lule në Monumentin e Heronjve të Koshares, në Beograd.

Ekipet nga Kosova dhe Serbia janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, më 1998-99.

Kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Një diplomat i lartë i BE-së ka thënë në fund të prillit se Kosova dhe Serbia janë “shumë afër” nënshkrimit të dy marrëveshjeve për personat e zhdukur, por zyrtarisht, deri më tani, nuk është arritur ndonjë e tillë.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Velko Odalloviq, të shkarkohet nga pozita e kreut të Komisionit serb për Personat e Zhdukur, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë. Kjo e fundit, në vitet 1990, është udhëhequr nga presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Në kërkimet e fundit që janë bërë në lokacionin Shtaval, në jug të Serbisë, është thënë se nuk janë gjetur mbetje mortore. Kërkimet atje janë zhvilluar për 13 ditë në muajin maj.

Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Personat e Pagjetur ka thënë se, edhe pse ka kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e institucioneve serbe që të ndajnë informacione nga arkivat e tyre, përfshirë edhe për Shtavalin, “një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.

Megjithatë, Odalloviq e ka mohuar këtë.

Vuçiq i vendosi kurorat me lule me rastin e 23-vjetorit të përfundimit të betejës në Kosharë – Komuna e Ferizajt – midis pjesëtarëve të ushtrisë së atëhershme jugosllave dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Beteja ka zgjatur disa javë në pranverë të vitit 1999, duke lënë dhjetëra luftëtarë të vrarë në të dyja anët.

Për deklaratat e Scholzit: “E jona është të negociojmë”

Vuçiq komentoi të martën edhe deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili, gjatë një vizite në Kosovë, më 10 qershor, ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës.

“E jona është të negociojmë”, tha Vuçiq.

“Sa i përket cenimit të shtetësisë dhe integritetit territorial, ne e respektojmë të drejtën publike ndërkombëtare, në të cilën thirret e gjithë bota. Ne vetëm përsërisim atë që Perëndimi vazhdimisht e thotë kur bën thirrje për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se, gjatë periudhës së ardhshme, pret kritika “të ashpra” ndaj Serbisë për Kosovën dhe për “mosvendosjen e masave kufizuese” ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

I pyetur nga gazetarët nëse kritikat që vijnë nga Bashkimi Evropian janë të rrezikshme, Vuçiq tha se ato “nuk janë naive”.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por zbatimi i shumicës së tyre ka ngecur.

Kancelari Scholz ka takuar javën e kaluar në Beograd edhe Vuçiqin.

Gjatë një konference të përbashkët për media, Vuçiq ka thënë se “sot [10 qershor], për herë të parë, ka dëgjuar në konferencën për media në Prishtinë, që dikush nga Bashkimi Evropian po kërkon që dialogu i Brukselit të rezultojë me njohje reciproke”.

 

Shpërndaje në: