Vuçiq në takim me Stoltenberg: E respektojmë rolin e KFOR-it në Kosovë

Vuçiq në takim me Stoltenberg: E respektojmë rolin e KFOR-it në Kosovë

Pas takimit të sotëm, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë mbajtur konferencë për media.

Në fjalën e tij, Vuçiq ka folur edhe për qëndrimin e Serbisë karshi misionit të KFOR-it dhe NATO-s në përgjithësi, duke thënë se duan të shmangin çdo mundësi për përshkallëzim të konfliktit.

“Serbia është një vend ushtarakisht neutral, do të mbetet ushtarakisht neutrale dhe në asnjë mënyrë nuk do të marrë vendim në atë kuptim të bllokut”, ka thënë Vuçiq.

Tutje, ai ka thënë se Serbia do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me KFOR-in.

“Ne kemi historinë tonë, e cila nuk është e lehtë, nuk është e thjeshtë, por duam të forcojmë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mëtejshme me KFOR-in dhe NATO-n dhe duam të shmangim çdo lloj mundësie të përshkallëzimit të konfliktit”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb ka falënderuar edhe një herë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, i cili ka dashur ta dëgjojë qëndrimin e Serbisë.

“Ne folëm për atë që po ndodhte, jo gjithmonë duhet të shohim gjithçka me të njëjtin sy, por ajo që është e rëndësishme për ne është roli i KFOR-it, të cilin ne e respektojmë, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili me urdhrin tim ka kontaktuar komandantin e KFOR-it në mbrëmjen e tensioneve në veri rreth orës 21:00 dhe mendojmë se kjo ka ndikuar dukshëm në qetësimin e tensioneve dhe zbutjen e krizës në veri të Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia është gjithmonë në gjendje të gjejë mirëkuptim në dëshirën e Stoltenbergut dhe të gjithë KFOR-it e NATO-s për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Stoltenberg ka thënë se situata në teren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit të situatës.

pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës, flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Shpërndaje në: