Vuçiq -Shefit të NATO’së: Punë e jona ku e vendosim ushtrinë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, lidhur me vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën. Derisa Stoltenberg i ka thënë se vendosja e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon asgjë, Vuçiq i është përgjigjur se “ku e vendosim ushtrinë tonë është punë e jona”.
Këto deklarata presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i kanë shkëmbyer pas takimit të përbashkët, në një konferencë për media. Vuçiq ka thënë se ushtria serbe nuk i ka tejkaluar asnjëherë kompetencat e saj.
Tutje Stoltenbergu gjatë konferencës ka thënë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova është çelës i normalizimit të marrëdhënieve.
Ka deklaruar se NATO është e gatshme ta ruajë paqen dhe sigurinë në Kosovë, duke shtuar se llogarit në të gjitha palët për t’i ulur tensionet.
“Mezi pres forcimin e bashkëpunimit, Vuçiq dhe unë diskutuam tensionet në Kosovë dhe rëndësinë e KFOR-it. Ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. NATO është e gatshme të ruajë paqen. Grumbullimi i ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën nuk ndihmon. Unë mirëpres koordinimin e ngushtë midis ushtrisë së Serbisë dhe KFOR-it. Unë llogaris në të gjitha palët për të ulur tensionet. Unë mbështes formimin e Asociacionit, ky do të ishte çelësi i normalizimit”, theksoi Stoltenberg./koha/