Vuçiq: Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB nuk zgjidh asgjë për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk beson se ajo do të zgjidhë ndonjë gjë për Kosovën.

“Nuk besoj se do të ketë ndonjë zgjidhje, sepse çfarëdo që bëjnë shqiptarët, ata gjithmonë e kanë mbështetjen e ‘pesëshes së madhe’. Ne mund të presim mbështetje nga Rusia dhe Kina dhe disa vende më të vogla, por kjo nuk do t’i ndryshojë gjërat në terren”, tha Vuçiq, transmeton REL.

Me ‘pesëshen e madhe’, Vuçiq duket se iu referua anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Seanca është caktuar për datën 15 tetor. Është ky një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Raporti përfshin periudhën 16 mars – 15 shtator, 2021.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestuan dhunshëm për shkak të një operacioni anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës.