Vuçiq: U thash Escobarit e Lajçakut se Serbia punon sinqerisht për të qetësuar tensionet që nuk i shkaktoi

Vuçiq: U thash Escobarit e Lajçakut se Serbia punon sinqerisht për të qetësuar  tensionet që nuk i shkaktoi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot  të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe para një takimi të nesërm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq ka njoftuar se biseda me Escobar ka qenë shumë e hapur.

“Serbia është serioze, e besueshme dhe e përgjegjshme për dialogun. Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje maksimale për stabilitet dhe progres për tërë regjionin”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka shtuar se Serbia po angazhohet që të qetësojë tensionet.

“Veçanërisht theksova se vendi ynë, si gjithmonë deri më tani, është i përkushtuar dhe punon sinqerisht për të qetësuar të gjitha tensionet që nuk i shkaktoi, në përputhje me politikën konsistente për të kërkuar një zgjidhje kompromisi ekskluzivisht përmes dialogut, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka njoftuar Vuçiq.

Një takim me Escobar, raportohet nga RTK se është duke e zhvilluar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç ka bërë të ditur trasnmetuesi publik, takimi lidhet ekskluzivisht me takimin e nesërm mes kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq.

 

Shpërndaje në: