VV disa muaj para se ta merrte pushtetin: Qeveria fajtore për grevën e Rrahman Jasharajt

Periskopi.com Lajme

Disa muaj para se ta merrte pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje akuzonte Qeverinë e Kosovës se është fajtore që SBASHK-u ka hyrë në grevë megjithëse mbrëmë të revoltuar me paralajmërimet e protestave dhe grevave, kryeministri Kurti ‘uroi’ që të kishte ndryshime në përfaqësuesit e SBAShK-ut, me fjalë tjera që Rrahman Jasharajn të mos e kishim më si kryesindikalist të punëtorëve të arsimit. 

Deputeti i VV-së Ismajl Kurteshi, kishte thënë se grevën nuk e deshën as mësimdhënësit, por u detyruan të hyjnë në grevë si pasojë e asaj qeverie.

“Greva që nuk e deshën as mësimdhënësit erdhi si pasojë e kësaj qeverie. Sikur qeveria të mos i rriste pagat e veta, që me të drejtë nxiti shumë sektor nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë sot. Sikur qeveria të mos i injoronte shqetësimet e sindikatës sot fëmijët nuk do të mbetnin pa mësim. Është detyrë e kësaj qeverie që së bashku me sindikatën të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme që mësimi të fillojë”, kishte thënë ai.

Ai gjithashtu kishte bërë të ditur se do të ftojnë një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit parlamentar për të diskutuar për grevën.

Ndërsa, deputete [në atë kohë] Arbërie Nagavci, thoshte se Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.

“Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vet koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltar nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit”, kishte thënë ajo.