VV kundër Projektligjit që rregullon çmimin e barnave: Ndryshe nga partia, Konjufca abstenoi

VV kundër Projektligjit që rregullon çmimin e barnave: Ndryshe nga partia, Konjufca abstenoi

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. 19 deputetë kanë votuar për, 42 kundër dhe dy kanë abstenuar, në mesin e tyre edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Arsyetimi i deputetëve të shumicës parlamentare ka qenë që një projektligj i tillë por i përgatitur nga Qeveria e Kosovës do të vijë në Kuvend në vjeshtën e këtij viti.

Ndërsa nga opozita është kërkuar që një nismë e tillë të miratohet meqë sipas tyre do të ndalte abuzimet në tregun e barnave.

“Qeveria në plan legjislativ e ka pasur projektligjin për barna edhe vitin kaluar por nuk ka ardhur kjo qeveri në plan legjislativ për vitin 2021 i kishte paraparë gjithsej 186 projektligje të cilat as për së afërmi nuk janë arritur të realizohen. Prandaj unë sot pres prej juve reflektim, prej kolegëve, përtej petkut politik që t’i japim dritën e gjelbër këtij projektligji që ne e kemi iniciuar që rregullon çmimet e barnave. Një projektligj i tillë është shumë i nevojshëm përballë gjendjes ekonomike në vend e cila është më se e rënduar nga inflacioni, nga rënia ekonomike, nga rritje e jashtëzakonshme e çmimeve”, ka thënë deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu derisa ka kërkuar miratimin e kësaj nisme.

Sipas PDK-së, ky ligj gjithashtu do të ndihmonte ekonomitë familjare të përballojnë rritjen e çmimeve.

Seanca plenare do të vazhdojë në orën 15:00 me pikat e tjera të rendit të ditës.

Shpërndaje në: