VV mban tubime me gra e vajza në lagjet e Prishtinës (Foto)
Aktivistet e Vetëvendosjes po mbajnë tubime me gra dhe vajza në lagje të ndryshme të Prishtinës. Nga gratë pjesëmarrëse në këto takime, ndër të arriturat e Komunës së Prishtinës në mandatin e parë, veçanërisht u theksuan ndërtimi i çerdheve të reja, kujdesi shëndetësor për fëmijët si dhe shujtat ushqimore nëpër shkollat e Prishtinës.
Përveç diskutimit të të arriturave të Komunës, në këto tubime janë diskutuar edhe problemet aktuale të lagjeve, si dhe plani i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë qeverisës në Prishtinë.
“Pas këtyre tubimeve nëpër lagje, nesër, më 15 tetor, në ora 12:00, do të mbahet tubimi me gra dhe vajza në Hotel Grand. Në këtë tubim do të prezantohen kandidatet tona për Kuvendin Komunal të Prishtinës, si dhe do të flasin Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Aida Dërguti. Në emër të kandidateve për Kuvend Komunal, të pranishmeve do t’iu drejtohet znj. Visare Gorani – Gashi”, thuhet në njoftimin e VV-së. /Periskopi/






