VV mbështetet në krahët e Haradinajt për demarkacionin: Bulliqi deklarohet për Periskopin

VV mbështetet në krahët e Haradinajt për demarkacionin: Bulliqi deklarohet për Periskopin

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, njëherësh edhe deputet i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi pret që të respektohet marrëveshja e demarkacionit nga të dyja palët, ajo kosovare dhe malazeze, edhepse nga kjo e fundit ka thënë se demarkacioni ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes, shkruan Periskopi.

Qeveria e Malit të Zi i kanë thënë gazetës “Zëri” se demarkacioni ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes, por pala malazeze kanë pohuar se do të formohet Trupi i Përbashkët Punues, i cili do ta shënojë kufirin shtetëror.

Ndërkohë, Shpejtim Bulliqi për Periskopin ka thënë se marrëveshja duhet të respektohet dhe të krijohen kushte për analizimin e vijës kufitare sa më parë.

“Është nënshkruar një marrëveshje nga udhëheqësit kryesor të vendit, prandaj presim edhe pala malazeze ta respektojnë marrëveshjen e dy presidentëve si dhe marrëveshjen e miratuar në Kuvend, dhe të krijohen sa më shpejt kushte që është e mundur që të dilet në teren dhe të analizohet vija kufitare dhe të analizohen lëshimet që janë bërë nga komisionet e atëhershme”, ka thënë Bulliqi për Periskopin.

Por nga partia  e Shpejtim Bulliqit, Lëvizja Vetëvendosje,  kanë thënë se gjëja e parë që do të bëhet rreth demarkacionit me Malin e Zi, prej momentit që LVV-ja vjen në pushtet, do të jetë një hetim i krejt asaj çfarë ka ndodhur me komisionin e mëparshëm, i cili drejtohej nga Murat Meha.

Para se Demarkacioni të votohej në Parlamentin e Kosovës (2018), Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  dhe homologu i tij malazez Filip Vujanoviq, patën nënshkruar një dokument, sipas të cilit palët pajtoheshin për formimin e një trupi të përbashkët punues, i cili do t’i identifikonte mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit.

Presidenti Thaçi, pati deklaruar se falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, “kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

Por partia e Bulliqit pas publikimit të deklaratës së nënshkruar nga Presidenti Thaçi dhe ai malazez,  nuk ka qenë e kënaqur.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, lideri i VV-së Albin Kurti pati bërë ditur se partia që ai e udhëheq nuk është e kënaqur me marrëveshjen e Demarkacionit, e cila është publikuar nga presidenti Hashim Thaçi.

“Pas publikimit të marrëveshjes, Lëvizja e VV-së ka mbajtë mbledhje të menjëhershme të kryesisë dhe ka nxjerrë konstatimet e saj se deklarata e fundit që u dha nga Thaçi është e papranueshme dhe mashtruese”, kishte deklaruar Kurti.

Kuvendi i Kosovës në mars të vitit 2018 pati votuar me 80 vota pro marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në një seancë maratonë, e cila u ndërpre disa herë pas hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kosova dhe Mali i Zi kishin nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë Marrëveshjen e Demarkacionit, por ajo nuk mundi të ratifikohej në Kuvend pas disa përpjekjesh të njëpasnjëshme me tym e gaz në Kuvend nga deputetë të Vetëvendosjes,  duke sjellë edhe rrëzimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Kujtojmë se kanë kaluar gati dy vjet nga miratimi i marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, por deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret drejt formimit të Trupit Punues, i cili do të merrej me çështjen e vijës kufitare./Periskopi/

 

 

 

Shpërndaje në: