VV, organeve të rendit: Mos u gjunjëzoni para klanit “Pronto”
Subjekti më i madh opozitar, LVV, sot ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshm për media. Në këtë konferencë ka folur deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila bëri krahasimin e sjelljes së Policisë dhe Gjyqësisë ndaj Grabovcit dhe aktivistëve të VV-së.
“Sa policë duhet të përbuzen që ta marrin guximin – (njëjtë si tek shtëpia e Dardan Molliqajt) – të pyesin për armët në shtëpinë e Grabovcit? Ju mbani mend që ishte raportuar për plagosje në këtë shtëpi, dhe Policia nuk e kishte trajtuar me urgjencën e njëjtë sikur tek bastisja e shtëpisë së Dardan Molliqajt në të cilën nuk u gjet asgjë. Poashtu, e dimë se si u trajtua shtënia me armë nga selia e PDK-së. Personi që kishte gjuajtur me armë, u dorëzua vetëm pas presionit publik. Por, siç e dimë ai u lirua menjëherë”.
Haxhiu ka folur edhe për policët që u suspenduan dje, për shkak se nuk e kishin ndalur makinën e Grabovcit për ta kontrolluar.
“Pas skandalit të pashoq, ku djemtë e tij, në formën e kapadaive kishin rrahur policin Avni Selaci, vetëm pse i kishte ndaluar ata, tre policë të tjerë ia panë sherrin Grabovcit. Ata u suspenduan sepse nuk e ndalën shefin e shefave. Si mund ta ndalonin ata babën, kur djemtë për të njëjtin veprim i kishin rrahur policët?”, ka thënë ajo.
Deputetja e VV-së u ka bërë thirrje organeve të rendit që të jenë në ndjekje të Grabovcit dhe krimit që zhvillohet në majat e qeverisë, dhe të mos gjunjëzohen para Klanit “Pronto”



