VV sa ishte në pushtet thoshte që Karaçevën e kontrollon KFOR-i, tash kritikojnë Qeverinë për mosreagim

VV sa ishte në pushtet thoshte që Karaçevën e kontrollon KFOR-i, tash kritikojnë Qeverinë për mosreagim

11 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë parë dje duke u futur brenda territorit të Republikës së Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Për këtë rast kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje. Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë, ka fajësuar Qeverinë Hoti, për të cilën tha se duhet të japë dorëheqje, ndërsa të kthehet reciprociteti ndaj Serbisë.

“Në rrethana kur ndodh kjo çfarë ngjau dje me territorin e Republikës së Kosovës, më saktësisht në Karaçevë, është dëshmi për të kundërtën. Andaj, përveçse kjo qeveri ilegale, ilegjitime duhet të shkojë së bashku me të duhet të kthehet edhe reciprociteti. Kjo që ka ndodhur dje në Karaçevë është e papranueshme dhe kjo qeveri duhet të jep përgjegjësi”, ka shkruar ajo.

Por, Albin Kurti sa ishte kryeministër në detyrë, pati anuluar operacione të Njësive Speciale në Zubin Potok e Karaçevë, pasi që sipas tij kjo e fundit nuk mbikëqyret nga ana e Policisë së Kosovës për shkak se gjendet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe vëzhgohet nga ana e KFOR-it.

Kurti pati deklaruar se ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dy herë ka kërkuar nga ai që të zhvilloheshin operacione policore në këto zona.

“Dy herë, ish-ministri i Brendshëm, e një herë me zv/kryeministrin Avdullah Hoti kërkuan që të marrë miratimin tim për aksione policore kundër krimit dhe korrupsionit me ç’rast thonin se janë të përgatitura mirë vetëm pritet edhe një lloj miratimi nga ana ime, e asaj që ishte ndërmarrje policore e studiuar thellë e përgatitur gjatë. I kam pyetur ku është ky aksion, më thanë njëherë në Zubin Potok e njëherë në Karaçevë, në atë pjesë të territorit që në bazë të marrëveshjes së Kumanovës mbase edhe nuk është e qartë a është në Kosovë apo Serbi por e dimë që është pjesë e Kosovës. Pastaj, unë kërkova sqarime që të ketë një lloj teksti analize se pse do të kishin sukses këto operacione meqenëse nuk kemi përvojë të mirë në ndërhyrje në këto zona. Dhe kur kam kërkuar diçka me shkrim si dëshmi nuk më është dhënë asnjëherë”, ka thënë Kurti për Jeta në Kosovë.

Kurti gjithashtu ka përmendur se ndërhyrjet e tilla policore që kanë ardhur si ide nga Veliu në fakt ishin lojë e Presidentit, Hashim Thaçi.

Ndërkaq sipas kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, patrullimet e xhandarmërisë serbe dje në Karaçevë kanë qenë aksion i përbashkët me forcat e KFOR-it.

Kurse KFOR-i në një komunikatë për media thotë se patrullimet e tilla me Forcat e Armatosura Serbe janë rutinore dhe se rasti i djeshëm është në kuadër të kësaj duke shtuar se ushtarët serbë nuk lihen të vetëm asnjëherë.

Edhe kryeministri Hoti sot ka reaguar duke thënë se së shpejti do të merren veprime konkrete, dhe nuk ka nevojë për panik, pasi që sipas tij kufijtë janë të sigurt.

Shpërndaje në: