Xhavit Haliti: Kurti dhe papagallët e tij dialogut i janë përkushtuar vetëm për interesa elektoral

Xhavit Haliti: Kurti dhe papagallët e tij dialogut i janë përkushtuar vetëm për interesa elektoral

Dialogu duhet të bëhet , deri tani Qeveria Kurti dhe papagallët e saj kësaj çështje i janë përkushtuar për interesa elektorale, tha deputeti nga radhët e PDK’së Xhavit Haliti në një intervistë të dhënë për Periskopin.

Deputeti Haliti ka folur edhe për situatën e fundit të krijimit të tensioneve në veri dhe shtyrjes së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë për 30 ditë.

Sipas z.Haliti, deklartat e Kurtit cilësohen si luftënxitëse që  nuk i shërbejnë të tashmes e as të ardhmes së Kosovës.

Për më shumë lexoni intervistën e plotë:

Periskopi: Si i komentoni deklaratat e fundit të kryeministri Kurti, ku thotë se “Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini”, ku deklarata e tilla po konsiderohen si përhapje e panikës tek qytetarët?

Xhavit Haliti: Deklaratat luftënxitëse nuk i shërbejnë të tashmes as te ardhmes së Kosovës e as Rajonit. Popujt e ish Jugosllavisë e me ta edhe neve kemi përjetuar një tmerr ,i shkaktuar nga një regjim që me çdo kusht dëshironte ta ruante hegjemonizmin serbomadh ndaj popujve e njësive tjera federale. Ajo që është e domosdoshme për të gjithë ne që jetojmë në ballkanin perëndimorë është ruajtja dhe vendosja e paqes së përhershme duke mos e provokuar njëri tjetrin.

 

Periskopi: Si e komentoni vendimin e Kurtit, që të shtyhet zbatimi i reciprocitetit për targa dhe dokumente deri më 1 shtator? -Kjo kërkesë, në fakt, ishte e Ambasadës amerikane (faktorit ndërkombëtar) në vendin tonë. Ky po shihet si një ndryshim i madh i z.Kurti, marrë parasysh deklarimet e tij të mëhershme rreth asaj që quhet ‘trysnia ndërkombëtare’. Si e shihni ju këtë?

Xhavit Haliti: Vendimin për shtyrjen e reciprocitetit për targat e konsideroj pozitiv, për faktin se gjakrat ishin të nxehura, provokimet ishin të planifikuara nga kreu i Serbisë . Ata dëshironin që Policia e Kosovës të binte pre e këtyre provokimeve dhe në kaosin që do krijohej, pasojat do ishin të paparashikueshme.

 

Periskopi: Çka mbas 30 dite kur do të filloj të zbatohet reciprociteti, sipas jush a mund  të ketë tensione sërish?

Xhavit Haliti: Çdo veprim e vendim që i shërben paqes në mes të dy vendeve tona është i mirëseardhur nga popujt tonë dhe bashkësia ndërkombëtare. Prandaj largpamësia në vendimmarrje është veti e popujve të qytetëruar. Por unë mendoj që neve nuk duhet të bëjmë veprime të cilat janë në kundërshtim  me qëndrimet që kanë vendet perëndimorë lidhur me Ballkanin e në këtë rast edhe me Kosovën.

 

Periskopi: Presidentja Osmani në një intervistë të fundit për BBC-në, i ka dërguar një mesazh presidentit rus Vladimir Putin se ‘do të dështojë në përpjekjen për de stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor’. Si i vlerësoni këto mesazhe?

Xhavit Haliti: Ndoshta Presidentja ko ndonjë informacion, sa i përket angazhimit të Presidentit të Rusisë, i cili është shprehur hapur se çfarë pretendon dhe nuk e përjashtoj mundësinë  që në regjion e ka të shpërndarë agjenturën e cila punon për interesat e tyre. Por mendoj që për neve mjafton qe të mbajmë qëndrimin tonë pro perëndimore dhe absolutisht s’kemi nevojë të dërgojmë mesazhe kërcënuese ndaj askujt e aq më pak një supërfuqie . Vendosja e paqes me Serbinë, i hapë rrugë Kosovës, Serbisë e krejt Rajonit për tu integruar në BE.

 

Periskopi: Ku është dialogu Kosovë-Serbi?

Xhavit Haliti: Dialogu duhet të bëhet , deri tani Qeveria Kurti dhe papagallët e saj kësaj çështje i janë përkushtuar për interesa elektorale. Edhe Presidenti i Serbisë është sjellur herë  si ujk i veshur me lëkurë qengji e herë si dhelpër për ta mashtruar bashkësinë ndërkombëtare. Edhe Kurti, edhe Vuqic e dinë që s’mund të ketë ndryshim ne statusin e Kushtetutshmërinë e Kosovës. Kjo është e garantuar ndërkombëtarisht, prandaj sa më shpejtë që të dyja palët të zotohen për zbatimin e marrëveshjeve të dyanshme, duke përfshi edhe asociacionin e Komunave, sipas Kushtetutës së Kosovës, Pakos së Ahthisarit, katër principeve të Grupit të Kontaktit dhe qëndrimit të fundit të Z. Eskobar. Aq më i shpejtë do jetë integrimi ynë i përbashkët në BE./PERISKOPI/ Intervistoi: BESARTA HOTI

Shpërndaje në: