Ylli i Ferizajt për Periskopin: S’ka rroga, situata është e rëndë – shyqyr që janë familja dhe shoqëria

Ylli i Ferizajt për Periskopin: S’ka rroga, situata është e rëndë – shyqyr që janë familja dhe shoqëria

Pandemia e koronavirusit ka gjymtuar kokë e këmbë futbollin kosovar dhe jo vetëm.

Shumë klube nga pjesa e poshtme e tabelës së Superligës së Kosovës po përballen me situatë të rëndë financiare, e një ndër to është edhe Ferizaj, shkruan Periskopi.

Sidoqoftë, kriza financiare te ky klub daton kohë para fillimit të përhapjes së pandemisë, me lojtarët që thonë se tash janë në muajin e katërt pa rroga.

Së fundmi, mbrojtësi i skuadrës, Viktor Kuka nënvizoi situatën e rënduar në Facebook, ku shkroi: “Qysh me zvoglu rrogen kur skom marr qe 3 muj?!”

Periskopi ka kontaktuar me Kukën pastaj për të marrë detaje të tjera në lidhje me gjendjen e tij dhe bashkëlojtarëve të tij.

Image may contain: 3 people, including Viktor Kuka, people standing

“është shumë problem mu gjind në këto kohë, sidomos kur ka vonesa të pagave,” ka thënë fillimisht ai për Redaksinë.

“Po shyqyr që jon shoqnia edhe familja në këto kohë të vështira.

“Tash po bohen katër muaj që s’kemi marrë rroga, qysh ka thonë edhe kapiteni i skuadrës, Dardan Qerkini, më herët për medie.”

I pyetur nëse kanë qenë në kontakt me drejtuesit e klubit dhe nëse u kanë dhënë ndonjë afat kohor se kur do t’ua kryejnë obligimet, Kuka ka thënë:

“Po, kena bisedu me ta, kanë thonë masi të përfundon puna e pandemisë do t’i kryejnë të gjitha obligimet.”

Përgjigje interesante kjo nga klubi, domethënë ndërkohë futbollistët do të duhen të gjejnë zgjidhje kreative për të mbijetuar, pasi nuk ka asnjë gjasë që në kohën kur kanë më së shumti nevojë, të marrin atë që u takon. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: