Ylli shkruan historinë për të dytën herë

Ylli shkruan historinë për të dytën herë

Skuadra nga Suhareka, Golden Eagle Ylli u shpall fituese e Supekupës Mbarëkombëtare të Ligës Unike nga konkurrenca e meshkujve, duke e mposhtur në finale skuadrën nga kryeqyteti, Sigal Prishtinën.

Ylli triumfoi ndaj Prishtinës me rezultat të përgjithshëm 76:67, në finalen e cila u zhvillua të dielën në Shkodër.

Për suharekasit, fitimi i trofeve tashmë nuk është më një rastësi, pasi që ky tani është trofeu i tretë i Yllit në më pak se një vit.

Ylli fillimisht shkroi historinë duke u bërë skuadra e parë që e fiton Ligën Unike, në turneun e ri të inaugurar që filloi në prill të këtij viti, që kishte për qëllimin krijimin e një lige të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim realizimin e idesë së kahmotshme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve.

Ylli në finalen e Ligës Unike të zhvilluar më 15 prill, kishte mposhtur skuadrën e Pejës me rezultat të ngushtë 79:82, gjersa Erjon Kastrati ishte zgjedhur MVP i finales.

Përpos që Ylli u bë skuadra e parë që e fiton këtë turne, ky njëherit ishte edhe trofeu i parë në histori të klubit suharekas.

Nuk shkoi më pak se një muaj që nga ai triumf, Ylli u kurorëzua me trofeun e dytë në histori të klubit, duke fituar titullin e Superligës së Kosovës.

Në duelin e finaleve, Ylli e mposhti me rezultat të pastër Pejën 3-0, duke e konfirmuar titullin e parë të ligës së Kosovës në histori të klubit, dhe të dytin tashmë në përgjithësi.

Kur kanë kaluar disa muaj që atëherë, tani skuadra nga Suhareka ka triumfuar edhe në turneun e parë të inauguruar të Superkupës Mbarëkombëtare, turne ky i cili është në kuadër të Ligës Unike dhe mbledh katër skudrat më të suksesshme të sezoni paraprak, dy në Kosovë dhe dy Shqipëri.

Trofeu i fituar së fundi nënkupton që Ylli tani ka fituar tri trofe në më pak se një vit, gjersa do të mbahet mend gjithmonë si skuadra e parë që ka fituar Ligën Unike dhe Superkupën Mbarëkombëtare.

Golden Eagle Ylli kështu konfirmon edhe një herë dominimin që ka pasur përgjatë këtij viti karshi skuadrave kosovare e edhe atyre shqiptare, dhe me një sponzor të fuqishëm dhe nje menaxhim të konsoliduar brenda skuadrës, suharekasit synojnë t’i vazhdojnë paraqitjet e mira dhe fitimin e çdo trofeu të mundshëm.

Shpërndaje në: