Ymeri: Opozita duhet të konsolidohet

Ymeri: Opozita duhet të konsolidohet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka treguar se arsyeja pse opozita e ka anuluar protestën ka të bëjë me faktin se opozita ka nevojë të konsolidohet dhe ta zgjeroj frontin opozitar.

“Opozita e bashkuar ka marrë vendim ta shtyjë protestën e paralajmëruar për nesër. Opozita e bashkuar ka nevojë për më shumë konsolidim të brendshëm e për zgjerim të frontit opozitar. Regjimi autoritar në Kosovë luftohet suksesshëm vetëm me Alternativë të bashkuar qytetare e shoqërore”, ka shkruar në Ymeri në Facebook.

Nuk e ka shpjeguar se për çfarë konsolidimi bëhet fjalë e as nuk ka komentuar lëvizjet e fundit në opozitë, dorëheqjen e Donika Kadaj-Bujupi dhe deklarimet e Ramush Haradinajt ndaj tij.

Por ka folur se njëra prej arsyeve pse është anuluar protesta janë edhe Pashkët.

“Po ashtu, duke pasur parasysh provokimet dhe sulmet policore mbi aktivitetet tona opozitare është më mirë që në vigjile të festës së Pashkëve të mos mbahet kjo protestë, por ajo të shtyhet për një datë tjetër”, ka shkruar Ymeri.

Përpos kësaj, Ymeri ka lënë të nënkuptohet se opozita po e pranon Komisionin ad-hoc të formuar nga presidentja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Presim që Komisioni ad-hoc për vlerësimin e Marrëveshjes për Demarkacion ta konfirmojë qëndrimi tonë opozitar, si qëndrim i drejtë dhe i argumentuar. Kosova nuk ka tokë për të falur”, ka shkruar Ymeri.

Ymeri ka ripërsëritur se opozita e bashkuar kërkon zgjedhje të reja parlamentare sepse qeveria aktuale është dëshmuar si anti-kushtetuese.

Shpërndaje në: