Zaev: Marrëveshja me Alternativën, për të mirën e shtetit

Zaev: Marrëveshja me Alternativën, për të mirën e shtetit

Kryeministri në dorëheqje i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Zaev e vlerësoi si të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët këtë marrëveshje.

“U bashkuam rreth përcaktimit të përbashkët se në këto momente më e rëndësishme është funksionimi i institucioneve me kapacitet të plotë dhe ndërmarrja e përgjegjësisë para qytetarëve”, tha Zaev.

I pyetur nëse sekretari i Alternativës, Bekim Sali është i pranueshëm për ministër të Shëndetësisë, Zaev tha se është e pranueshme, por se duhet të bisedojnë edhe me partnerët e koalicionit.

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se në Qeveri po hyjnë për ta ndihmuar shtetin që të dalë nga kriza, ndërsa tha se Alternativa asnjëherë nuk e ka sulmuar Qeverinë me fjalë të rënda.

“As unë si kryetar i Alternativës por edhe eksponentët më të lartë partiak, asnjëherë nuk mund të gjeni ndonjë komunikatë zyrtare ku ne kemi quajtur me fjalë të rënda një qeveri. Kemi pasur vërejtjet e tona, Unë nuk mendoj se Qeveria ku futemi ne është perfektë, për ndryshe nuk do të kishte nevojë të ishim ne këtu. As nuk mendoj që me hyrjen tonë gjithçka do të bëhet qumësht e mjaltë. Është shumë lehtë të kritikoni, kritika është gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Puna më e rëndë është t’i përvjelin mëngët dhe të zgjidhni problemet”, tha Gashi.

Me marrëveshjen e arritur Zaev dhe Gashi, Alternativa do të marrë Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informatikë dhe një ministri pa portofol. Alternativës do t’i takojnë edhe tre zëvendësministra, atë të Kulturës, Arsimit dhe një zëvendësministri për të cilën ende po negociohet, ndërsa do të ketë edhe rreth 25 pozita të tjera në eshalonin e tretë, ndër të cilët është edhe drejtoria e MEPSO-s.

Kjo nuk është hera e parë që Alternativa bëhet pjesë e Qeverisë Zaev. Afrim Gashi hyri në kabinetin e Zaevit në kohën kur Aleanca për Shqiptarët kishte braktisur Qeverinë./AlsatM

Shpërndaje në: